Basketboll

SAMIR ZEKIQI FLET PËR TË ARDHMEN, PËRMEND EDHE GRUMBULLIMIN E KOSOVËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Samir Zekiqi ishte njëri nga basketbollistët kryesorë vendor në ekipin e Trepçës sivjet.

Mitrovicasit bënë një edicion fantastik, duke arritur tri finale e në njërën nga to fituan Kupën e Kosovës dhe rikthyen trofetë e mentalitetin fitues në ‘qytetin e minatorëve’.

Padyshim që një prej lojtarëve kryesorë te Trepça këtë edicion, ishte edhe Samir, që pas një periudhe poashtu të suksesshme te Ylli, u rikthye në klubin ku mori hapat e parë si lojtar dhe shfaqi potencialin, duke u bërë prej lojtarëve që dhanë shumë për ekip.

Në një intervistë për AsistiOnline.com, Zekiqi tregoi për stinorin që kaluan te Trepça, të ardhmen e tij, por edhe grumbullimin te Kosova që pritet të ndodhë gjatë këtyre ditëve.
”Si për mua ashtu dhe ekipin ishte një vit mjaftë i frytshëm, kemi marrë pjesë në tri finale, njërën prej të cilave e kemi fituar. Ekipi është një ndër ekipet më të organizuara në këto dy vitet e fundit dhe mund ta quajmë vit shumë të suksesshëm, si për mua ashtu edhe për ekipin. Puna jonë e palodhshme, jo vetëm e lojtarëve por si nga kryesia ashtu edhe nga stafi i trajnerëve të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, kane arritur që ta kthejnë entuziazmin dhe kënaqësinë e basketbollit në qytetin e Mitrovicës dhe në gjithë ligën e Kosovës”, thotë Samiri.
Sa i përket aspektit individual, Samiri kishte një sezon goxha të mirë dhe tregoi lojëra cilësore, derisa tregon se kontrata i ka skaduar e përparësi për shërbimet e tijm thotë se ka klubi i qytetit ku u lind dhe rrit.
”Sezoni ka mbaruar, për momentin jemi në pushim, kontratën e kam pasur për një vit, për sezonin e ardhshëm patjetër që përparësi ka oferta e klubit të qytetit tim”, potencon ai.
27 vjeçari që ftohet rregullisht edhe te Kosova, që nga gjeneratat e reja, foli pak edhe për për grumbullimin e Kosovës që pritet të ndodhë gjatë këtyre ditëve për duelin e fundit të grupit në parakualifikime për Eurobasket.
”Unë jam pjesë edhe e këtij grumbullimi, fokusi ynë kryesor është kualifikimi, por e jona është që të punojmë dhe ta japim më të mirën për shtetin tonë. Për mua është krenari e madhe të përfaqesoj shtetin tim, jo vetëm për mua, por besoj që për çdo sportist që ka një ftesë nga shteti, është me të vërtetë ftesë e veçantë”, tha mitrovicasi.
/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.