PËRFAQËSUESET A TË KOSOVËS I MBYLLIN HERËT GARAT EVROPIANE, ZHGËNJIMI NË SYTË E PUBLIKUT I QARTË
Prishtinë(AsistiOnline) – Një cikël i dështuar dhe pa sukses i ndeshjeve ndërkombëtare, ishte ky i viteve 2021/22 për ekipet përfaqësuese të basketbollit kosovar.
Përfaqësuesja e Kosovës A te meshkujt i mbylli parakualifikimet për Eurobasket 2025 e eliminuar dhe me vetëm një fitore në grupin C, ku bëri pjesë me Norvegjinë dhe Danimarkën.
Edhe pse cikli i këtyre ndeshjeve kishte nisur me shumë pritshmëri dhe vetëbesim, për fat të keq i gjithë avazi u kthye në ‘fatkeqësi’ dhe u përkthye në mos-sukses, transmeton AsistiOnline.com
Humbja e thellë me plotë 34 pikë në udhëtim te Danimarka gjatë javës së shkuar, i shuajti të gjitha shpresat e ekipit tonë përfaqësues, për t’i arritur kualifikimet e Eurobasketit 2025 dhe kështu u rrënua i gjithë besimi për kalimin e fazës së parë.
Në fakt, suksesin më të madh në garat ndërkombëtare, Kosova A te meshkujt e ka në Parakualifikimet për Botëror, Madje kjo është pjesa e vetme, ku përfaqësuesja ka arritur sukses deri më tani, konkretisht në parakualifkimet e Botërorit 2019. Më 2 gusht të vitit 2017 në Prishtina, Kosova fitoi 72:68 ndaj Maqedonisë e kjo ishte fitorja e parë ndërkombëtare e tyre. Gjersa ky kualifikimi ishte vlerësuar historik për Kosovën. Por, suksesi nuk ishte vazhduar edhe në fazën e parë të kualifikimeve. Në një kampanjë me plot telashe e vështirësi, Kosova i kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet. Kishte mbetur prapa Lituanisë, Polonisë e Hungarisë.
E pas kësaj, dështimet e Kosovës në tentim për të arritur ndonjë Evropian apo Botëror, vazhduan. Përpjekjet e shumta edhe pas një periudhe relativisht të gjatë së luajturi, nuk po arrijnë të gjejnë cakun e dëshiruar, sidomos nga publiku i etur për sukses.
Dështimi SIVJET ERDHI edhe te femrat
Viti 2021, ishte vit i debutimit në garat ndërkombëtare edhe për Kosovën A të femrave, kjo Përfaqësuese para 12 muajve kishte luajtur në Evropianin për shtetet e vogla, madje kishte arritur një sukses solid, duke i mbyllur garat me medalje të bronztë.
Optimizmi nga viti i kaluar se sivjet do të kalohet edhe më lehtë, duket se nuk ndikoi mirë në mendjen e vashave kosovare të cilat këtë edicion shpërfaqën dështim të konsideruar.
Me tri humbje, 1 fitore dhe në pozitën e katërt nga 5 shtete pjesëmarrëse, Kosova javën që po lëmë pas e mbylli Kampionatin Evropian për shtetet e vogla, duke mos arritur që të realizojë synimet e veta në asnjë dimension.
Përkundër se kanë kaluar 7 vite nga pranimi i basketbollit kosovar në FIBA, ekipet kosovare seniore as kësaj radhe nuk arritën të lënë gjurmë në garat ndërkombëtare, duke shpresuar se viteve në vijim do të reflektohet dhe punohet fuqishëm për të ndryshuar këtë çasje dhe ecuri negative.
Gjatë javëve në vijim, radha për paraqitje është e Përfaqësueseve të reja të Kosovës, mbetet të shihet se cilat do të jenë rezultatet e tyre në këtë vit, derisa shpresojmë që ato të jenë pozitive dhe shpresë e rikthimit të besimit se Kosova megjithatë ka të ardhme.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.