Basketboll

TREPÇA RUAN ‘BOSHTIN’ KRYESOR, SHTON ARDHJE TË BUJSHME VENDORE DHE LUAN NË EVROPË

Prishtinë(AsistiOnline) – E nisin një stinor nga i cili presin shumë, për faktin se kanë investuar goxha shumë në transfere, vendore dhe të huaja.

Trepça e Mitrovicës si nën-kampione aktuale e Kosovës e fillon stinorin e ri të basketbollit kosovar me ambicie të qarta, mbledhjen e të gjithë trofeve.

Edhe sivjet, sikurse në vitin e kaluar Trepça ishte ekipi i parë që filloi me riorganizim duke i vazhduar kontratat me bartësit e sukseseve nga stinori i fundit, shkruan AsistiOnline.com

Drejtuesit e klubit e vazhduan bashkëpunimin me trajnerin bullgar, Lyubomir Minchev e së bashku me të u prezantuan edhe Drilon Hajrizi e Amin Hot që rinovuan.

Nuk vonoi shumë, Trepça i konfirmoi edhe kapitenin Valdrin Haxhiu dhe Samir Zekiqin e nga lojtarët e huaj, vazhdoi vetëm me qendrën Andrew Gordonin.

Gjersa, ‘minatorët’ shpejtë filluan edhe me transfere për ti prezantuar dy prej ardhjeve më të bujshme vendore, Erjon Kastratin dhe Mikaile Tmusiqin nga Golden Eagle Ylli me të cilin u shpallën kampionë të Kosovës dhe ishin bartës të lojës.

Kompletimi i ekipit të Trepçës vazhdoi me lojtarët e huaj, ku i pari që u prezantua ishte Jahsim Floyd, ai luan në pozitën e qendrës dhe ka gjatësi prej 206 centimetrave. Trepça do të jetë përvoja e tij e parë në karrierën profesionale, pasiqë vije si ‘rookie’ nga kolegji amerikan, ”Saint Thomas Univesity Bobcats” tek të cilët sivjet zhvilloi stinorin e tretë me radhë. Te kolegji i lartëcekur, Floyd në stinon e parë (2019/20) luajti në 17 ndeshje me 7.2 pikë e 7.8 kërcime për ndeshje, në stinorin e dytë (2020/21) u paraqit në 18 ndeshje me 8.2 pikë e 5.4 kërcime dhe sivjet (2021/22) zhvilloi vetëm 3 ndeshje ashtu sikurse i tërë ekipi (për shkaqe të panjohura) me 7 pikë e 9.3 kërcime për ndeshje.

Transferi i dytë ishte, Clevon Brown i është i gjatë 203 centimetra dhe luan në pozitat 4/5. Brown së fundmi ka luajtur në Ligën e parë të Australisë me ekipin e Mount Gambier në 7 ndeshje me mesatare prej 9 pikëve e 7.3 kërcimeve për ndeshje. Para kalimit në Australi, Brown kishte luajtur për kolegjin amerikan nga NCAA1 ”Florida International University Golden Panthers.

Adam Grant i huaji i tretë i prezantuar i cili luan në pozitat fundore dhe është i gjatë 185 centimetra. Në stinorin e fundit, basketbollisti amerikan figuron si lojtar i skuadrës së Heliopolis në elitën e Egjiptit, por që statistika zyrtare për të nuk gjenden askund. Para Egjiptit, Grant ka luajtur në kolegjin amerikan nga NCAA1, ”Bryant Bulldogs” për katër sezone duke qenë prej lojtarëve kryesorë aty. Në edicionin e fundit të kaluar në atë kolegj, Grant kishte mesatare prej 16.3 pikëve, 3.1 kërcimeve e 2.2 asisteve.

Dhe lojtari i fundit i huaj i paraqitur ishte, qendra kanadeze, Elijah Ifejeh. Ifejeh është i gjatë 205 centimetra dhe luan në pozitën natyrale 5, ai te Trepça vije nga elita kanadeze ku luajti me Montreal me 9.5 pikë e 5 kërcime për ndeshje. Në të kaluarën, basketbollisti në fjalë ka luajtur edhe në NCAA1 me A&M University.

Nga ekipi janë larguar lojtarët: Burim Zekiqi, Ty Cockfield, Corban Collins, Mike Edwards e Rodney Purvis.

Momentalisht me kaq, Trepça e ka mbyllur merkaton verore dhe hyn në gara e motivuar maksimalisht, para një pubiku të madh dhe unik që ka.

Trepça sivjet do të bëjë gara në pesë fronte, FIBA Europe Cup, Superligën e Kosovës, Ligën Unike, Superkupë dhe Kupë të Kosovës. Ajo çfarë vlen të ceket është se Trepça me datat 27-30 shtator e organizon njërin prej turneve kualifikues të FIBA Europe Cup në ”Minatori”, ku vet do të ndeshet me Gottingenin e Gjermanisë, ndërsa AEK Larnaca e Qipros me skuadrën nga Islanda, Thor Thorlakshofn. Fituesit e këtyre ndeshjeve më 28 shtator përballen me Sportingun përtugez, përkatësisht me Antwerpin belg. Më 30 shtator është finalja që përcakton se cila skuadër kalon në fazën grupore.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.