Basketboll

Ponte Prizreni arrin fitoren e parë, duke mposhtur rivalin lokal Bashkimin

Prishtinë(AsistiOnline) – Ponte Prizreni më në fund e ka arritur fitoren e parë të stinorit të ri në Superligën e Kosovës.

Bardhezinjët sonte në ”Sezai Surroi” e mposhtën rivalin lokal, Bashkimin me shifrat e përgjithshme 93-101.

Ndeshja nisi më mirë për Ponte Prizrenin që fitoi dy periodat e para (18-23, 14-32) dhe shkoi në pushim mes pjesëve me avantazh përmbi 20 pikësh 32-55.

Në pjesën e dytë, Bashkimi hyri fuqishëm në lojë duke tentuar rikthimin me fitimin e çerekut të tretë thellë (37-16) dhe perioda e fundit nisi me vetëm 2 pikë avantazh për Prizrenin, megjithatë këta të fundit në periudhën e fundit e administruan mirë rezultatin (24-30) dhe fituan ndeshjen me meritë.

Amerikani i Ponte Prizrenit, Wayne Arnold ishte fantastik në këtë fitore sonte me 33 pikë e transferi i ri Dachon Burke debutoi perfekt me 21 pikë, gjersa në fitore kontribuan edhe Meriton Ismaili me 17 pikë, Urim Zenelaj me 13 dhe Ivan Koljeviq me 10 sosh.

Te Bashkimi ishin të pamjaftueshëm për fitore, Fahro Alihoxhiq me 21 pikë, C.J Keyser e Altin Morina me nga 19 pikë dhe Prentis Nixon me 17 sosh.

Pas xhiros së tretë të dyja ekipet kanë nga 1 fitore e 2 humbje.

Në xhiron e ardhshme, Ponte Prizreni e pret Golden Eagle Yllin e Bashkimi luan ndaj Rahovecit.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.