(VIDEO-LAJM) Valbona Bytyqi pensionohet pas 18 vjet karrierë dhe 20 trofeve të fituar
Valbona Bytyqi, një nga ikonat e basketbollit femëror në Kosovë, është pensionuar. Pas plotë 18 viteve karrierë dhe 20 trofeve të fituar, Valbona i tha lamtumirë basketbollit aktiv në finalen e Superkupës së Kosovës , të dielen e 9 Tetorit 2022.
Valbona u pershendet nga basketbolli aktiv pikërisht aty ku edhe e filloj, në Karagaç të Pejës dhe ate në përballjen mes Penzës e Bashkimit, dy skuadrave me të cilat ka fituar të gjitha trofetë, shkruan AsistiOnline.com
Rrugëtimi i gjatë dhe shume triumfal i Valbonës filloi në shkollën e basketbollit Dukagjini me trajnerin e njohur kosovar Bujar Locin në vitin 2004 dhe pas një kohe të shkurtë ajo u transferua tek ekipi i parë i Penzës. Deri në vitin 2013 Valbona ishte pjesë e ekipit pejan, kur vendosi të largohet për t’u transferuar tek Bashkimi. Po atë vit me ekipin prizrenas Valbona e shijoji edhe titullin e parë në karrierë, për të mos u ndalur më.
Me tu kthyer tek Penza në sezonin 2013/14 Valbona e udhëhoqi ekipin e saj drejt majave të basketbollit femëror në Kosovë.. Që nga ajo kohë kapitenja e Pejës i fitoi 6 tituj me Penzën, 8 Kupa të Kosovës, 1 herë SuperKupën e Kosovës dhe sezonin e fundit e fitoi Superkupën Mbarkombëtare.. Me gjithësejt 20 tituj të fituar, Valbona ka hyrë në histori si një ndër më të trofeshmet e basketbollit femëror.
Në vitin 2017 Valbona u largua nga basketbolli aktiv por atë kohë përkohësisht, pasi po bëhej nënë. Rreth 1 vit e gjysmë ishte jashtë garave dhe basketbollit aktiv megjithatë gjatë gjithë kohës po përgatitej për rikthim i cili edhe ndodhi, kurse Valbona edhe pasi u bë nënë, vazhdoi të jetë një shembull në fushë dhe jashtë saj. Kapitenja legjendare pejane udhëhoqi Penzën drejt 20 kupave dhe gjithashtu në vitin 2021 duhet theksuar, Valbona ishte pjesë e suksesit historik të Përfaqësueses së Kosovës në konkurencën e femrave, ku u stolis me medaljen e bronztë në Kampionatin e Shteteve të vogla që u mbajt në Qipro.
Per sukseset e saj të vazhdueshme me Penzën, Valbona u shpall edhe MVP i vitit 2021 në ASIST, pas një viti fantastik me Penzën megjithatë, fundi i kësajj sezone doli të jetë edhe fundi i karrierës së jashtëzakonshme të Valbona Bytyqit
Pikërisht në ndeshjen finale të Superkupës së Kosovës ku u ndeshën dy ekipet ku Valbona la gjurmë, Bashkimi dhe Penza , ajo u penzionua.
Edhe kësaj here arsyeja që e shtyri në penzionim ishte shtatëzania dhe fakti se për herë të dytë Bytyqi po bëhet nënë mirëpo, vendimi per pensionim kësaj rradhe është përgjithmonë.
Kështu, ikona e basketbollit pejan dhe kosovar largohet nga loja aktive por jo edhe nga basketbolli pasi ajo të vazhdojë zejën e trajnerës tek ekipi i Penzës ku gjeneratat e reja definitivisht do të kenë shumë fat të mësojnë dhe edukohen nga Valbona Bytyqi.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.