Shumica e shqiptarëve në botë e kanë nisur stinorin, këto janë paraqitjet e tyre të fundit
Prishtinë(AsistiOnline) – Rubrikën e shqiptarëve në botë për këtë edicion e nisim me Edon Maxhunin i cili gjatë fundit të gushtit u bë me skuadër të re.
Basketbollisti që shkëlqeu në Eurobasket me Kombëtaren e Finlandës u transferua në njërën prej ligave më të forta në Evropë aktualisht, atë të Gjermanisë konkretisht te ekipi i Crailsheim Merlins dhe tashmë i ka zhvilluar tri ndeshje, ku në duelin e parë, Crailsheimi u mposht nga Oldenburgu 82-95 e Edoni në atë duel luajti për 14 minuta me 10 pikë, 2 kërcime e 2 asiste, në duelin e dytë, Crailsheimi e mposhti Bambergun 82-84 dhe Edoni u paraqit 12 minuta me 7 pikë e 3 asiste dhe në duelin e fundit, Merlins u mposhtën nga Gottingeni 77-81 e Maxhuni luajti pak më dobët për 15 minuta me 2 pikë, 2 asiste e 2 kërcime.
Ergjan Osmani ishte prej lojtarëve kryesorë te Darussafaka në fitoren e tyre në elitën turke ndaj Merkezefendi 93-80. Shqiptari nga Bajram Curri luajti për 29 minuta me 12 pikë, 8 kërcime e 5 asiste dhe kësisoj ishte prej kontribuesve kryesorë.
Stinori i ri ka filluar edhe për Kenan Spahiun që sivjet u transferua te Pinar Karsiyaka e të shtunën ata e mposhtën Galatasarayn në udhëtim 70-72, gjersa prishtinasi në këtë ndeshje u paraqit për 20 minuta me kontribut prej 9 pikëve, 2 kërcimeve e 2 asisteve.
21 vjeçari, Elham Jashari po vazhdon me paraqitje të mira edhe sivjet në Ligën e parë të Kroacisë me Kvarnerin në fitoren e këtyre të fundit ndaj Hermesit 82-59. Jashari ishte prezent për 27 minuta në këtë ndeshje dhe luajti me 11 pikë, 5 kërcime e 3 asiste.
Në Bundesliga 2 të Austrisë, këtë vikend e patëm duelin e shqiptarëve në botë mes Celovecit të Andi Shehut dhe Albin Llapashticës përball Raidersit të Leart Peranit. Skuadra e Celovec në fund triumfoi 97-69 e në këtë fitore prej lojtarëve më të dalluar ishte edhe Andi Shehu me 24 minuta lojë dhe realizoi 12 pikë, 8 kërcime e 3 asiste, gjersa bashkëlojtari i tij, Albin Llapashtica luajti 12 minuta me 1 kërcim e 2 asiste. Në anën tjetër te Raiders Tirol, Leart Perani u paraqit për 38 minuta dhe shënoi 7 pikë, si dhe bëri 3 kërcime e 2 asiste në humbjen e ekipit të tij.
Te trajnerët, Spiro Leka me ekipin e Ferraras në Serie A2 të Italisë e pësuan humbjen e dytë nga 2 ndeshje, kësaj radhe u mposhtën nga Pistoia 73-51.
Skuadra e Raiders në Ligën e parë të Finlandës që drejtohet nga trajner kosovar, Besim Maxhuni, e ka nisur me disfatë stinorin e ri atje, duke u mposhtur nga Bisons 67-85.
Fitoren e parë në Ligën e parë të Gjermanisë për femra e ka arritur edhe skuadra e Homburgerit që sivjet po drejtohet nga trajneri perspektiv prizrenas, Illmen Bajra, ekipi i këtij të fundit e arriti fitoren e parë ndaj Gruenbergut 61-53, pasiqë në dy duelet e para kishte dy disfata.
Këto janë disa nga paraqitjet e shqiptarëve në botë, gjatë javës që e lamë pas e disa prej tyre, ende nuk e kanë nisur edicionin e ri, por që AsistiOnline.com do të vazhdojë ta përcjellë me vëmendje secilin shqiptar/e në botë për të mbajtur të informuar publikun në lidhje me rezultatet e tyre.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.