Basketboll

Zhvillime dramatike në Ligën Unike, mediat shqiptare thonë se Tirana tërhiqet nga gara

Edicioni i tretë i Ligës Unike në radhët e meshkujve rrezikon seriozisht të dështojë, ose të zhvillohet me një numër të reduktuar ekipesh.

Vetëm pak ditë më parë kompeticioni i përbashkët për klube në basketbollin e meshkujve mes Shqipërisë dhe Kosovës zbardhi kalendarin në limite, për shkak se ekipet shqiptare po mbanin pezull eventin, duke mos konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.

Gjithsesi, në fund Liga zyrtarizoi Teutën, Tiranën, Kamzën dhe Apoloninë nga Shqipëria, si dhe Yllin, Trepçën, Pejën dhe Ponte Prizrenin nga Kosova, ndërsa sot ishte dita për startin e sezonit 2022-2023 me dy ndeshjet e para të javës së parë: Kamza-Peja në orën 18:00 dhe Ylli-Tirana në orën 19:00.

Mirëpo në më pak se 24 orë nga starti i eventit, Tirana ka vendosur që të tërhiqet nga gara, ka shkruajtur sot portali shqiptar, Panorama.

Ndonëse deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga klubi bardheblu, kryeqytetasit nuk do të udhëtojnë drejt Therandës, ndërsa edhe vetë Golden Eagle Ylli ka konfirmuar se ndeshja nuk do të zhvillohet me anë të një njoftimi në rrjetet sociale.

Burime të Panoramës, pranë Tiranës konfirmojnë se bardheblutë kanë vendosur që të tërhiqen nga Liga Unike.

Mendohet që në këtë vendim ekstrem të ketë ndikuar ndeshja e fundit në kampionat, në të cilën Tirana u mund nga Besëlidhja, në një takim të kontestuar fort nga bardheblutë për arbitrimin.

Një shenjë e fortë proteste ndaj Federatës Shqiptare të Basketbollit, me kryeqytetasit që heqin kështu dorë nga Liga Unike.

Në orët e vona është përfolur për një takim ditën e premte mes klubeve shqiptare të basketbollit dhe FSHB-së që të jenë seriozë në këtë kompeticion, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar zyrtarisht.

Në fakt të gjitha ekipet e Shqipërisë nën zë e kanë parë si angari këtë event, kjo edhe për shkak të diferencave të mëdha me ekipet e Kosovës, teksa këto të fundit kanë buxhete shumë herë më të larta, ndërsa në vendin tonë luftohet për mbijetesë, në mungesë të një ligji favorizues për sponsorizimin në sport. /Panorama/

Për të marrë përgjigjje rreth tërë këtyre zhvilllimeve, AsistiOnline.com gjatë ditës së sotme ka tentuar të marrë përgjigjje nga akterët e garës, por deri tani nuk është dhënë asnjë përgjigjje, duke lënë në terr informativ dhe opinionin mbarëshqiptarë basketbolldashës.

 

Komentet janë të mbyllura.