Prishtina triumfon ndaj Zielona Gorës me 7 lojtarë, arrin fitoren e parë në ENBL
Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina ka arritur fitore të madhe në xhiron e tretë të ENBL Ligës evropiane.
Ekipi kosovar nga kryeqyteti triumfoi sonte në CRS Hala Zielona Gora ndaj ekipit me po të njejtin emër me rezultat final 75-89.
Ndeshja filloi më mirë për vendasit që fituan çerekun e parë 22-16, gjersa prishtinasit u rikthyen paksa në të dytin për ta fituar atë 16-19 dhe ekipet shkuan në pushim mes pjesëve me rezultat 38-35 në favorin e Zielona Gorës.
Rikthimi i madh i Prishtinës erdhi në pjesën e dytë, fillimisht duke fituar çerekun e tretë 20-26 e për ta vulosur fitoren e madhe, Prishtina e fitoi bindshëm çerekun e fundit 17-28 dhe iu gëzua fitores së parë në këtë garë.
Dardan Berisha shpërtheu te Prishtina sonte me plotë 28 pikë, prej tyre 6 treshe nga 10 tentime, gjersa shtoi edhe 8 asiste, 5 kërcime e 2 vjedhje topash, për 35 minuta lojë. Berisha në këtë fitore u ndihmua edhe nga Dustin Thomas me 17 pikë e Derrick Wilson me 15 sosh.
Bryce Alford me 19 pikë e Jan Wojcik me 16 sosh, ishin dy lojtarët më të dalluar te polakët sonte, por të pamjaftueshëm për fitore.
Ndeshjen e radhës në këtë garë evropiane, Prishtina e zhvillon menjëherë nesër ndaj ekipit tjetër polak, Lublin me fillim nga ora 18:30.
Vlen të ceket se Prishtina në këtë ndeshje u paraqit me vetëm 7 lojtarë, gjersa Lejson Zeqiri e Jan Palokaj ishin të lënduar.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.