Basketboll

Vëllaznimi dërgon ankesë në FBK, Prishtina e bindur në fitore meritore dhe pa lëshime

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka mposhtur Vëllaznimin në kuadër të xhiros 24 në Superligën e Kosovës me rezultat tejet të thellë 51-86.

Megjithatë ekipi gjakovar duket se nuk po pajtohet me mënyrën ligjore se si është arritur kjo fitore pasi që sipas tyre, ekipi prishtinas ka futur në roster dhe lojë, lojtar që nuk e lejon rregullorja e FBK-së.

Ideal Bakija, kreu i klubit gjakovar në një prononcim për AsistiOnline.com ka thënë se kanë dërguar ankesë zyrtare në FBK në lidhje me rosterin e Prishtinës.

Sipas tij, ankesa e Vëllaznimit bazohet në rregulloren e FBK-së e cila thotë se ”një ekip ka të drejtë të e regjistrojë vetëm një lojtar të natyralizuar”, ndërsa kundër Vëllaznimit, te Prishtina ka luajtur lojtari i dytë i natyralizur për këtë sezon. Pasiqë Valmir Kakruki është paraqitur si lojtar i natyralizur këtë sezon për Prishtinën.

Në lidhje me këtë ankesë, AsistiOnline.com ka kontaktuar edhe me Komisionin e Garave pranë Federatës së Basketbollit të Kosovës, të cilët nëpërmjet adresës elektronike e kanë konfirmuar ankesën e Vëllaznimit dhe se janë duke e shqyrtuar, porse ende nuk ka ndonjë vendim.

Ju lutem më lejoni që t’iu informoj se Komisioni i Garave e ka pranuar ankesën e KB Vëllaznimit dhe është duke e shqyrtuar. Çdo vendim i Komisionit publikohet në faqen zyrtare të FBK-së dhe do t’iu mbajm të informuar në lidhje me këtë rast”, thuhet në përgjigjjen e asistentes ekzekutive të FBK-së, Rrezarta Kqiku.

Për të qenë sa më korrekt në raportim, AsistiOnline.com ka kontaktuar edhe kryetarin e klubit të Prishtinës, Blerand Stavileci i cili e ka komentuar rastin në fjalë, por është shprehur i bindur se fitorja është e pastërt dhe krejtësisht ligjore.

Asnjë hap nuk e kemi ndërmarrë për regjistrimin e lojtarëve pa i konsultuar rregulloret për kalimin dhe regjistrimin e lojtarëve në FBK, si dhe të gjitha rregulloret tjera përkatëse të FBK-së, madje edhe Kushtetuten e Kosovës për natyralizimin e lojtarëve të huaj në Kosovë.  Andaj për këtë ka qenë i informuar Komisioni i Garave dhe KB Sigal Prishtina i ka respektuar të gjitha procedurat, para se të ketë regjistruar Rezart Mehmedin”, ka thënë Stavileci për AsistiOnline.com

AsistiOnline.com do të vazhdojë të ju mbajë të informuar në lidhje me rastin në fjalë, për çfarëdo vendimi që merret në lidhje me ankesën në fjalë. /AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.