Basketboll

Përkundër sezonit të vështirë me Bashkimin, Prakuraitis me fjalë të mëdha për Prizrenin

Prishtinë(AsistiOnline) – Audrius Prakuraitis mbetet trajneri i parë dhe i vetëm lituanez që ka punuar në parketet e basketbollit kosovar.

58 vjeçari, që ka të fituar edhe titull kampioni në Kosovë, sivjet udhëhoqi për gjysmë sezoni me Bashkimin, në një edicion me shumë për probleme për prizrenasit.

Disa ditë pas mbylljes së sezonit me ekipin, trajneri lituanez është rrëfyer ekskluzivisht për AsistiOnline.com, duke treguar shumë gjëra rreth eksperiencës në kampin prizrenas.

Prakuraitis e përkufizon si një etapë shumë të vështirë, edicionin me Bashkimin sivjet.

Duke tërhequr një vijë paralele, zhgënjimi është i madh. Kishim pak ndeshje të mira, pak të këqija dhe pak, shumë afër ku kishim humbur në sekondat e fundit ose në minutat shtesë. Pika e parë që dua të trajtoj, ishte gjendja fizike e lojtarëve tanë, në fund të disa ndeshjeve performanca jonë nuk ishte në atë nivel që duhej, gjithashtu të luanim 2 ndeshje në javë ishte një sfidë e madhe për ne. Unë erdha te Bashkimi në fund të nëntorit, atë kohë kishim orar të vështirë – 2 ndeshje në javë, mungesë kohe për stërvitje, kohë jo të mjaftueshme për të kaluar situata të ndryshme edhe si ekip. Megjithatë, ne jemi fokusuar te vetja, duke u përpjekur të përmirësojmë mbrojtjen tonë dhe në lëvizjen e topit në sulm, hapësirën, të marrim një ekuilibër më të mirë të gjuajtjeve brenda dhe jashtë. Pasi në fushë, lojtarët tanë luajtën me zemër, me personalitet, me vendosmëri dhe menjëherë e vendosën lojën në drejtimin që donim të shkonte. Por, fatkeqësia ishte kjo: Në ditët e rezultateve negative, ne po luanim pa besim, karakter, qëndrueshmëri dhe ashpërsi mendore. Gjëra që na kushtuan”.

Klubi prizrenas sivjet u ballafaqua me shumë probleme organizative, këtë e ka parasysh edhe Prakuraitis i cili thotë se përveç mungesës së palestrës, telashet me stërvitje dhe mbështetja e madhe e tifozëve ishin faktorë që luajtën shumë rol.

Ne humbëm të gjitha shanset për të luajtur ndeshjet në shtëpi për shkak të renovimit të palestrës sonë, humbëm mbështetjen e madhe të tifozëve tanë dhe kjo ndikoi në rezultatet e ndeshjeve tona në shtëpi. Gjithashtu, nuk kishim orar të qartë të stërvitjeve dhe kjo ndikoi negativisht tek ne. Të gjithë këta faktorë u mblodhën dhe fatkeqësisht sot jemi jashtë play off-it”, thotë Prakuraitis.

Një fakt interesant që vlen të përmendet te Bashkimi, sivjet ishte vetë Prakuraitis të cilin e karakterizon qetësia e jashtëzakonshme mentale ku pavarësisht problemeve të ndryshme, lojtarët e tij ishin tejet të motivuar dhe luajtën për të humbur shumicën e ndeshjeve me rezultate të ngushta.

Kam pritshmëri të mëdha për veten time, gjithmonë i shtyrë për të fituar, pavarësisht se çfarë problemesh janë apo sa i fortë është kundërshtari, duhet të japim maksimumin për fitoren, ta bëjmë atë së bashku si skuadër dhe të tregojmë lojën më të mirë për tifozët tanë. Më vjen shumë keq, pse nuk shpërblyem tifozët tanë së paku me ndonjë trofe”, shprehet i zhgënjyer trajneri lituanez.

Lidhur me sezonin e ri, Prakuraitis nuk deshti të diskutojë shumë ngase sipas tij është herët dhe sapo ka përfunduar stinori.

Është herët për të thënë, sezoni sapo ka mbaruar, por tashmë po shikoj se çfarë do të sjellë e ardhmja. Natyrisht që mbetemi në rrjedha. Jam i gatshëm për çdo sfidë, nuk i frikësohem asnjë të tille”.

Prakuraitis është trajneri i vetëm lituanez që ka punuar me një skuadër kosovare dhe madje ka fituar titull kampioni (me Prishtinën), por a do t’ia rekomandonte basketbollin kosovar ndonjë homologu të vet nga Lituania?

Patjetër. Është një ligë interesante dhe konkurruese, por është basketboll i ndryshëm dhe mentalitet i ndryshëm, mund të jetë sfiduese të punosh si trajner këtu. Kur sjell përvojën e Ballkanit me vete, është shumë më e lehtë të punosh në Kosovë. Në Lituani dhe shtetet baltike, ka një mentalitet më ndryshe”.

Fjalët më të mira dhe të bukura për qëndrimin e tij në Kosovë, Prakuraitis padyshim që i ka për njerëzit dhe qytetin e Prizrenit.

Ç’të them. Jo se qëndrova këtu, por me të vërtetë u dashurova me Prizrenin, qytet i bukur me shumë xhami, kisha dhe ndërtesa historike, njerëz të mrekullueshëm, klimë komode, ushqim të mirë. Kujtimet e mia më të mira nga viti im i parë në Kosovë, kur fituam kampionatin në Prizren, ishin tifozët, njerëzit në fushë, si po e përkrahnin ekipin e Bashkimit, njerëzit që e njohin dhe e duan vërtet basketbollin. Ata nuk kanë ndryshuar, dua të falenderoj secilin nga zemra”.

Prakuraitis sivjet kaloi sezonin e dytë në Kosovë, shkurtimisht bëri një krahasim mes Prishtinës dhe Prizrenit, duke i komentuar këto dy qytete, gjersa tregoi edhe se a është përmirësuar basketbolli në vendin tonë, apo është larg vendit ku duhet të jetë.

U ktheva në Kosovë pas 6 vitesh. Jo se shumë ndryshime nga ajo kohë, palestrat e ftohta janë sfiduese. Më e rehatshme ishte të luash në Prishtinë vetëm për shkak të temperaturës normale. Gjëja më e rëndësishme është liga, ka nevojë për më shumë lojtarë të rinj kosovar në ekipe, ku ata mund të kenë role të rëndësishme, për të rritur basketbollin e Kosovës”, shprehet ai.

Natyrisht, krejt në fund Prakuraitis dha një mesazh të fortë dhe të qartë për basketbollistët e rinj në Kosovë.

Për lojtarët e rinj dua të them një mesazh: Punoni shumë për ti përmirësuar aftësitë dhe personaliteti/karakteri juaj, është aftësia numër një. Në thelb, lojtari i mirë duhet të jetë në gjendje të mbajë, ta gjuajë topin dhe ta pasoj topin, por edhe të përdorë këmbët e tij. Udhëheqja e topit, pasimi, gjuajtja, puna me këmbë, të gjitha këto elemente janë shumë të rëndësishme, punoni çdo ditë me këto aftësi me pasion dhe do të përmirësoheni. Puna shpërblehet, gjithmonë”, mbylli intervistën e dhënë për AsistiOnline.com, trajneri Prakuraitis.

Të kujtojmë se në vitin e tij të parë në Kosovë, Prakuraitis kishte fituar Kupën e Kosovës dhe titullit e kampionit, duke u shpërblyer si trajneri i vitit, ndodhi e gjithë kjo në vitin 2017.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.