Basketboll

NJË VIT PA GAZIN

Ditën e sotme shënohet përvjetori i parë i vdekjes tragjike të basketbollistit të Përfaqëseses kosovare, Gazmend Sinani.

Sinani vdiq në një aksident tragjik të komunikacionit, përderisa të lënduar në atë kohë kishin mbetur Fisnik e Granit Rugova, Altin Morina, si dhe fizioterapeuti Kujtim Shala. Sinani ishte i grumbulluar me Kosovën në përgatitjet për kualifikimet e Kupës së Botës “Kina 2019”.

Gazi ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, derisa kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.

Fanella e tij me numër 15 është pensionuar nga FBK-ja te Kosova dhe përveç Sinanit nuk do ta bartë askush më.

Gazi do të kujtohet përjetë nga basketbolldashësit për kontributin në basketboll por edhe në jetën personale si një personalitet me vlera njerëzore.

Komentet janë të mbyllura.