Basketboll

Doktori i psikologjisë sportive dhe basketbollit, Gordon Herbert

Prishtinë(AsistiOnline) – Kombëtarja e Gjermanisë sot u shpall kampione e Botës për herë të parë në histori.

Shumë pak kush foli për ‘gjeneralin’ apo prijësin e ekipit, Gordon Herbert i cili konsolidoi ekipin gjerman në maksimum për ta bërë ekip të fortë dhe të pamposhtur në këtë Botëror.

Për ju që nuk e dini, AsistiOnline.com po ju sjellë disa informata shumë të rëndësishme për trajnerin i cili sot shkroi histori me Gjermaninë.

64 vjeçari, Gordon Herbert është një kanadezo-finlandez i cili ka karrierë si lojtar deri në vitin 1994 dhe ishte një basketbollist shumë i mirë. Menjëherë pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai filloi karrierën si trajner në Finlandë. Deri tani ka punuar në tetë vende të ndryshme të botës, duke përfshirë një sezon si ndihmës trajner në NBA. Në Gjermani, Herbert fitoi kampionatin gjerman me Frankfurtin në 2004 dhe FIBA Europe Cup-in në vitin 2016.

Për ju që nuk e dini, Herbert në aspektin profesional të arsimimit ka doktoruar në psikologji sportive dhe përveç strategjive basketbollistike, ky trajner është edhe shembulli më i mirë i asaj se një trajner basketbolli duhet të jetë më shumë se kaq me lojtarët e tij.

Mediat gjermane kanë shkruajtur se Herbert nuk dëshiron të zbulojë shumë në publik asnjëherë. Ai shpesh u përgjigjet pyetjeve me “Jo” në fillim, edhe nëse më pas pajtohet me përmbajtjen. Deklaratat e tij janë relativisht të shkurtra dhe të reduktuara në fraza. Kushdo që e sheh trajnerin e kombëtares në paraqitjet e tij në media, vështirë se mund të imagjinojë se një nga pikat e tij më të forta është ndërtimi i marrëdhënieve me lojtarët e tij. Ai tregon mirëkuptim dhe i pranon njerëzit me veçoritë e tyre personale. Në vend që t’i ndryshojë ato, ai fokusohet në drejtimin e tyre duke u caktuar atyre role në kontekstin e përgjithshëm që i përshtaten personalitetit dhe aftësive të tyre atletike. Ai jep liri, por edhe kërkon shumë dhe vendos kufij brenda kornizës që krijon.

Kjo që e potencuam më lartë, ilustrohet në trajtimin e situatës në raport me yllin dhe kapitenin e Gjermanisë, Dennis Schroder. Lojtari në fjalë gjatë këtij Botërori kishte një përplasje verbale në pushim mes pjesëve në ndeshjen kundër Sllovenisë, fillimisht me shokun e skuadrës, Daniel Theis dhe më pas me trajnerin Herbert. Ky incident u mbivlerësua në media dhe në perceptimin e publikut, dhe komunikimi në sporte konkurruese shpesh del nga binarët në situata stresuese. Por, kjo situatë tregoi sesi Gordon Herbert menaxhon stafin e tij në situata krize dhe është një ekspert i madh.

Sa i përket acarimit mes Schroder dhe Theis…

Pas ‘kacafytjes’ verbale, Herbert u përqendrua në rimarrjen e ekipit të tij pas fillimit të dobët dhe e la Schroderin në stol për më shumë se zakonisht. Ky vendim më pas u keqinterpretua si dënim, por kryesisht shërbeu për t’i dhënë kohë kapitenit për t’u qetësuar emocionalisht. Pas kësaj, 29-vjeçari gjeti sërish fokusin e tij dhe Gjermania e shpërbëu kundërshtarin e vlerësuar me një Schroder brilant. Kjo dëshmoi se sa i qëndrueshëm është ekipi psiqikisht nën drejtimin e Herbertit.

Me të vërtetë një shembull i madh për trajnerët e rinj, profesionisti i vërtetë, Gordon Herbert.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.