Kampionia e nis Superkupën sot ndaj Prizrenit
Prishtinë(AsistiOnline) – Sot zhvillohen çerekfinalet e dyta të Superkupës së Kosovës te meshkujt.
Dueli i parë i ditës së sotme, është ai në mes të Pejës dhe Proton Cable Prizrenit.
Dy ekipet kanë bërë ndryshime të shumta në rostere për dallim nga edicioni i kaluar dhe synim i tyre sot është starti me fitore që do të rriste optimizmin për një sezon të mbarë.
Peja ka vazhduar me trajnerin Rami Hadar, por që me lojtarë ka ndryshuar shumë ku u larguan Arti Hajdari, Alban Veseli, Fatlind Shoshi e Samir Zekiqi, si dhe të huajt, derisa mbeti vetëm Arian Qallaku e u transferuan, Lis Shoshi, Dion Sheqiri, Meriton Ismaili, Malcolm Armstead dhe pesë amerikanë. Pra te Peja ka pasur eksod të largimeve e mbetet të shihet se si do të paraqiten verdhezinjët me ndryshimet e shumta të bëra.
Në anën tjetër, ndryshime ka pasur edhe te Ponte Prizreni ku drejtimin e ekipit e ka marrë turku, Tuncaj Bostanci. Nga lojtarët janë larguar Meriton Ismaili e Muhamedali Janjeva, si dhe gjithë të huajt e edicionit të kaluar. Sivjet, ekipi bardhezi ka vazhduar bashkëpunimin me Urim Zenelajn e kapitenin, Qëndrim Ajazaj, derisa ka transferuar Edmond Kryeziun, Arbër Sinanin e Musab Malën, si dhe katër basketbollistë të huaj.
Ndeshja mes Pejës dhe Proton Cable Prizrenit, nis nga ora 17:00 dhe transmetohet direkt në Sport1/ Artmotion dhe platformat e tjera televizive vendore, por edhe në NimiTv.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.