Basketboll

KOSOVA U-18 PO PËRGATITET MAKSIMALISHT PËR EVROPIAN, ENISA DHE MELISA DUAN PËRFAQËSIM DINJITOZ

Kjo verë do të jetë shumë e ngjeshur me aktivitete në basketboll, ku gjashtë ekipet kombëtare do të marrin pjesë në Kampionate Evropiane, Divizioni B, derisa Kosova A te meshkujt do të marrë pjesë në parakualifikime për Eurobasket 2021, duke mos harruar edhe debutimin e Kosovës në garat e 3×3 në FIBA Europe Cup.

E para që do të debutojë nga ekipet kombëtare është Kosova U-18 në konkurrencën e femrave. Vashat e udhëhequra nga Illmen Bajra dhe Imer Tahiri po stërviten dy herë në ditë që të përgatiten sa më mirë për Kampionatin Evropian, Divizioni B, në Shkup të Maqedonisë Veriore nga 5 deri më 14 korrik.

Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë, derisa basketbollistet premtojnë më të mirën e tyre.

Basketbollistja prishtinase, Enisa Kamerolli, ka folur për përgatitjet deri më tani dhe synimet në Evropian. “Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë dhe jemi munduar që të përgatitemi sa më mirë për Kampionatin Evropian. Ne shpresojmë se do të bëjmë ndeshje të mira dhe të përfaqësojmë Kosovën sa më mirë. Duam të përfaqësojmë shtetin denjësisht në këtë garë”, thotë Kamerolli.

Kosova në Grupin A së bashku me Slloveninë, Danimarkën, Finlandën, Estoninë dhe Norvegjinë.

Kosova shpreson shumë edhe te duart e Melisa Ibrahimit. Ajo është një basketbolliste e mirë dhe një pianiste e shkëlqyer. Edhe për të Evropiani në Shkup është shumë i rëndësishëm. “Ne jemi duke dhënë maksimumin edhe në stërvitje. Realisht do të kemi vështirë, por ne do të japim maksimumin për Kosovën. Kundërshtarët kanë përvojë dhe ne jemi vajza të reja, por së paku angazhimi nuk do të mungojë në asnjë moment”, shprehet Ibrahimi.

Kosova të premten (sot) nga ora 17:00 do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore me Maqedoninë e Veriut në Shkup./FBK.

Komentet janë të mbyllura.