Për 10 ditë katër ndeshje dhe katër fitore, Trepça në top formë
Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra më në formë e momentit në Superligën e Kosovës, padyshim që është Trepça.
Ekipi mitrovicas ka pasur një kalendar super të ngjeshur të garave në dy javët e fundit, por që me shumë sukses i ka kaluar provat që ka pasur dhe kësisoj ka dëshmuar që edhe sivjet do të jetë prej pretendentëve kryesorë për trofe.
Trepça në 4 ndeshjet e fundit ka arritur 4 fitore dhe atë për vetëm 10 ditë, ku fillimisht e kishte mposhtur ekipin e madh francez Gravelines në ”Minatori” në kuadër të FIBA Europe Cup, pastaj kishte fituar derbin ndaj Pejës dhe ia kishte rrëmbyer vendin e parë ekipit verdhezi, pas katër ditësh Trepça e mposhti në udhëtim edhe Prishtinën, gjersa në vikendin që lamë pas fitoi edhe ndaj ekipit më në formë të Superligës, Vëllaznimit, duke ia rrëmbyer primatin dhe konfirmoi super-formën në të cilën po kalon.
Këto tri fitore të fundit në Superligë, i kanë mundësuar Trepçës që të renditet e para në tabelë dhe me një fitore më shumë sesa ndjekësi i parë, Peja.
Natyrisht që ardhja e fundit te mitrovicasit, fundori amerikan Darnell Edge ka dhënë energji të madhe dhe ka ndryshuar rrënjësisht organizimin e lojës së skuadrës së Adis Beçiragiqit.
Ekipi mitrovicas duket shumë i motivuar për sukses edhe pse ka një rrugë të gjatë përpara, tifozët dhe klubi janë të bindur për të korrur sukses sivjet.
Trepça e ka fituar trofeun e Superkupës në fillim të edicionit dhe do të synojë edhe Kupën dhe në veçanti titullin e kampionit që i mungon prej më shumë se një dekade.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.