Basketboll

Marmarinos tallet shumë keq me basketbollin e Kosovës, nuk lë të zezë pa folur

Ish-selektori i Kosovës, Christos Marmarinos, thotë se puna te Kosova ishte kthim në kohë për disa dekada. Ai ka theksuar se lojtarët e Kosovës ishin amatorë, ndërsa kushtet shumë të këqija. Ka thënë se Kosovës i mungon kultura sportive dhe se lojtarët nuk e kanë mbajtur mend cilin lojtar duhet ta ruajnë. Madje ka thënë se reprezentuesit e Kosovës nuk e kanë ditur kush është Michael Jordan, ndërsa ka folur edhe për një lojtar që u gjet në fushë patatesh. Federata e Basketbollit e Kosovës ka mbetur e shokuar me fyerjet e trajnerit grek. Përzgjedhja e një trajneri grek për ta drejtuar Kosovën kishte dyshuesit e vet që në fillim. Dhe tani po del që ata kishin të drejtë.

Marmarinos, që nuk ka lënë ndonjë gjurmë te Kosova sa u takon sukseseve, ka folur për një radio greke për periudhën e kaluar në krye të “Dardanëve”. Ndër të tjera ka thënë se lojtarët e Kosovës nuk e kanë njohur Michael Jordanin dhe ka thënë se një lojtar e morën nga fusha e patateve për të luajtur basketboll. Akuzat e fyerjet e Marmarinosit janë të shumta.

Marmarinos aktualisht është skaut i skuadrës së NBA-së, Sacramento Kings.

LINKU I INTERVISTËS PËR MEDIAN GREKE – KLIKO KËTU

“Ishte sikur të futesh në një makinë kohe, të kthehesh 50 vjet prapa dhe të shohësh se si gjërat ishin para zhvillimit të basketbollit në Greqi. Ishte kohë speciale”, ka thënë Marmarinos fillimisht për radion greke.

Ai ka theksuar se punën te Kosova e ka parë edhe si mision. Ka thënë se shkoi në një vend që në aspektin sportiv është shumë prapa, që nuk ka infrastrukturë të mirë.

“Mendimet dhe kultura që kanë për basketbollin është po ashtu shumë prapa dhe ju vendosni të shkoni në një vend të tillë për të ndihmuar zhvillimin e sportit dhe t’u japësh rast njerëzve, nëse ata shohin diçka ndryshe. Nëse shikoni vetëm në aspektin profesional nuk mendoj se ia vlen. Kam pasur pak romancë që bëri të futem në atë proces”, ka vazhduar ish-selektori i Kosovës.

Marmarinos ka thënë se ka pasur dyshime ndaj tij për faktin që ishte grek. Ka thënë se e kanë shikuar me shumë kujdes. Marmarinos ka thënë se ka ndihmuar që grekët në Kosovë të shikohen ndryshe. Por intervista e fundit e tij përfundimisht nuk përshtatet me këtë që ka thënë.

Ka treguar se kishte dy lojtarë nga Mali i Zi në përfaqësuese, që nuk kanë folur shqip, por vetëm serbisht. Sipas Marmarinosit, serbët nga Kosova nuk janë ftuar pasi kjo do të ishte çështje për vetë komunitetin serb më shumë se pranimi i tyre nga shqiptarët.

Ai është ndalur te kushtet e stërvitjes, ndërsa nivelin e lojtarëve e ka vlerësuar amator. Ka folur edhe për nivelin e bashkëpunëtorëve.

“Kushtet ishin … botë e tretë. Salla ka pasur vrima të pabesueshme. Ishin dy salla, njëra prej tyre e djegur plotësisht dhe që ishte bërë parking. Tjetra ishte salla ku ne luanim. Ishte jashtëzakonisht ftohtë. Lojtarët nuk i kanë ditur as bazat e stërvitjes. Trajneri ka ardhur një herë dhe është zhdukur. Asistentët nuk kanë ditur si të bëjnë video, analizë të statistikave apo bazike”.

Marmarinos e ka krahasuar nivelin te Kosova me atë që ishte në Greqi në vitet ‘70 të shekullit të kaluar.

“Në fakt ishte një lojtar të cilit njëri prej bashkëpunëtorëve të mi i ka treguar për Michael Jordanin. Ai është përgjigjur se i vetmi Michael që njeh është Michael Jackson. Ata i kanë njohur vetëm lojtarët dhe klubet që ishin në atë regjion”, ka theksuar Marmarinos.

Ai thotë se Kosova është shumë prapa dhe se nuk ka besuar që është aq prapa. Ka thënë se kishte shumë njerëz të armatosur dhe se njerëzit ishin komod me dhunën brutale, që do të ishte tronditëse në Greqi.

Marmarinos vlerëson se të gjitha përpjekjet e tij ishin të kota. Madje ka thënë se shumë njerëz e kanë pyetur se si Kosova nuk mund ta mposhtë Lituaninë. Lituania është superfuqi e basketbollit.

Sipas Marmarinosit, tifozët e Kosovës i janë gëzuar aq shumë fitores në udhëtim ndaj Luksemburgut, sa tifozët e Olympiacosit nuk do të gëzoheshin për triumf në Euroligë.

“Ishte tri ditë… dehje. Morën ditë të lirë në ekipe, ishte festë nacionale fitorja ndaj Luksemburgut. Më pas humbëm nga Danimarka dhe katastrofë. Ishte më mirë ta mposhtim Gjibraltarin se të luajmë ndeshje të barabartë me Islandën, për shembull”, ka vazhduar Marmarinos me njollosjen e përfaqësueses që e drejtoi.

Marmarinos ka thënë se nuk ka qëndruar për para te Kosova. E ka përsëritur që Kosova është shumë prapa sa i takon kulturës sportive. Ka theksuar se shumica e lojtarëve për herë të parë kanë udhëtuar me avion. Ka thënë se ishte vështirë të punohet me lojtarët e Kosovës dhe ka përmendur një rast kur një plejmejker i ri ka përzier emrin e lojtarit të Sllovakisë që është dashur ta mbulojë.

Për fund, Marmarinos ka përmendur një lojtar të gjatë 215 centimetra që nuk kishte prekur asnjëherë topin e basketbollit.

“Morëm nga babai i tij një lojtar që ishte 215 cm dhe që nuk kishte prekur asnjëherë topin në jetën e tij. Kështu që shkuam te babai i tij dhe i thamë që ta dërgojë djalin në stërvitje. Ai tha: ‘Jo, kush do të më ndihmojë mua të nxjerr patatet. Djali im është punëtori i vetëm’. Kështu që e pyetëm se sa i duhen për të siguruar një punëtor dhe në fund federata ia dha 100 euro në muaj për të siguruar një punëtor dhe për ta lënë djalin që të ushtrojë. Pas dy vjetësh djali i tij vendosi që e do fushën më shumë se basketbollin dhe u largua”, ka theksuar Marmarinos.

Marmarinos ka drejtuar Kosovën prej vitit 2020 e deri në këtë vit. Kosova nën drejtimin e tij ka pasur tri fitore e shtatë humbje.

Që në fillim ka pasur të tillë që kanë shprehur dyshime se si një trajner grek është përzgjedhur ta drejtojë Kosovën. Dhe tani po del që ato dyshime ishin të drejta./Koha

Komentet janë të mbyllura.