Basketboll

Prishtina vazhdon serinë pozitive prej 5 fitoreve rresht nën drejtimin e Albert Sylejmanit

Justin Davis e Jay Jay Chandler ishin të pasaktë në tentimet për tri pikë, shtatë e katër sekonda para fundit. Kështu Peja lëshoi rastin për të barazuar rezultatin dhe pësoi 81:78 nga Sigal Prishtina.

Ndeshja e së shtunës mbrëma u zhvillua në palestrën “Karagaçi”, ndërsa i takoi xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Pak para fundit të çerekut të tretë ndeshja u ndërpre për dhjetëra minuta. Vazhdoi vetëm pasi gjithë shikuesit u larguan nga palestra. Disa prej tyre refuzuan fillimisht të dalin dhe kjo e bëri ndërprerjen më të gjatë.

Ndeshja kishte fund dramatik. 19 sekonda para fundit, Lejson Zeqiri i Prishtinës kishte dy gjuajtje të lira, kur rezultati ishte 81:78. Nuk qëlloi asnjërën. Chandler bëri kërcim në mbrojtje dhe shtatë sekonda para fundit, Davis nuk qëlloi për tri pikë. Meriton Ismaili më pas kërceu në sulm dhe topi shkoi te Chandler. Ai po ashtu tentoi për tri pikë, katër sekonda para fundit. U pengua nga Dardan Berisha dhe nuk qëlloi. Arian Qallakaj kërceu në sulm, por më nuk kishte kohë.

Berisha ndeshjen e përfundoi me 20 pikë e pesë kërcime. Por i kishte edhe shtatë topa të humbur. Shaheed Davis ishte më i miri te Prishtina me 26 pikë e nëntë kërcime. Derrick Wilson i kishte 13 pikë, nëntë kërcime e gjashtë asistime.

Steven Lee Davis e përfundoi ndeshjen me 16 pikë e pesë kërcime.

Justin Davis u shqua te Peja me 16 pikë e 13 kërcime. Larry Thomas i kishte 17 pikë.

Peja është e dyta me 22 pikë, përkatësisht me bilanc prej nëntë fitore e katër humbje. Prishtina i ka 21 pikë, ndërsa ka shënuar fitoren e tetë. Ka edhe pesë humbje.

Komentet janë të mbyllura.