Peja del me reagim zyrtar pas dënimit me para dhe pa tifozë, kërkon barazi në dhënien e dënimeve
Prishtinë(AsistiOnline) – Klubi i Pejës ka dalë sot me komunikatë zyrtare pas dënimit që ditën e djeshme Komisioni i Garave të FBK-së i shqiptoi lidhur me problemet në ndeshjen e parë me ekipin e Yllit.
Në reagimin e klubit pejan shkruan se e përsërisin që janë si klub kundër dhunës dhe punojnë maksimalisht kundër saj, madje janë klubi që paguajnë më së shumti për polici e sigurim privat, por që fatkeqësisht dalin disa individë dhe prishin gjithë mundin e klubit, por që aty poashtu potencohet se KB Peja zotohet që do vazhdojë luftën ndaj dhunës në sport derisa ky fenomen të zhduket te çdo individ.
Në reagim poashtu shkruan se KB Peja është kundër dhunës në sport, por është edhe kundër pabarazisë, duke aluduar se FBK po ndërmerr vendime të njëanshme.
”Dënimi i shqiptuar për KB Pejën është më i madhi i dy sezoneve të fundit – edhe pse në vendin tonë, në shume raste, është shpërfaqur dhunë tejet më e madhe në palestrat tjera. Për një arsye apo tjetrën, është pritur që ky rast të ndodh në Pejë që të kulmojnë dënimet – pavarësisht që raste si kjo, madje edhe shumë më të rënda, të cilat i kemi të dokumentuara me fakte, kanë ndodhur në vendin tonë dhe nuk ka pasuar fare dënimi, ose ka pasuar dënimi shumë më i vogël”, shkruan në njërën prej pjesëve të reagimit të klubit verdhezi.
”Kërkojmë barazi në shqiptimin e dënimeve, kërkojmë barazi në ndarjen e drejtësisë, kërkojmë që të gjitha skuadrat basketbollistike në Kosovë të trajtohen me të njëjtën monedhë. Ne do vazhdojmë luftën kundër dhunës, me shpresën që ju do vazhdoni luftën kundër pabarazisë”, mbyllet reagimi i klubit verdhezi.
Njoftimi i plotë dhe pa ndërhyrje:
Komentet janë të mbyllura.