Sot vendoset titulli i kampionit të Kosovës mes Trepçës dhe Yllit
Prishtinë(AsistiOnline) – Sonte zhvillohet ndeshja e pestë dhe e fundit e serisë finale për titull kampioni në basketbollin kosovar.
Trepça e pret Yllin në palestrën ”Minatori” të Mitrovicës për të përcaktuar fituesin e trofeut më të çmuar në basketbollin kosovar.
Seria aktuale e finales është e barabartë 2-2 dhe më nuk ka vend për gabime, andaj fituesi i kësaj ndeshje shpallet kampion.
‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.
Mitrovicasit në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën që ishte e dyta me 19 fitore e nëntë humbje.
Në garat e rregullta të elitës, të dy skuadrat kishin nga dy fitore ndaj njëra tjetrës, derisa mitrovicasit triumfuan edhe në Ligën Unike ndaj therandasve dhe në gjysmëfinale të Kupës.
Ndeshja e sontme fillon nga ora 19:00 dhe transmetohet direkt në KSport1.
Komentet janë të mbyllura.