Basketboll

Kosova pa qendër lufton shumë, por mposhtet në fund

Në Prishtinë ka filluar Kampionati Evropian për Shtetet e Vogla.

Në këtë Evropian po marrin pjesë tetë kombëtare, derisa do të zgjasë deri më 30 qershor.

Vashat e Kosovës në ndeshjen e parë pësuan nga Malta me rezultat 72:65.

Ndeshja nga fillimi ishte e luftuar dhe e barabartë, ku çereku i parë përfundoi 19:18. Malta për një nuancë ishte më e mirë në periudhën e dytë, për të shkuar në pushim me rezultat 38:30. Por, Kosova u rikthye shpejt dhe arriti të barazojë shifrat në 50:50. Megjithatë, në mungesë të qendrës, por fatit në dhjetë minutat e fundit, luftuan por nuk ia arritën qëllimit dhe pësuan 72:65.

Arbnore Përquku kishte 16 pikë e tetë kërcime, derisa Aulona Muhadri kishte tetë pikë e 12 kërcime, ndërsa Malvina Haziri shtoi 12 pikë. Kosova të mërkurën (nesër) do të luajë ndaj Qipros, që në ndeshjen e parë fitoi bindshëm ndaj Gjeorgjisë 89:57.

Vlen të ceket se Kosova po luan në pozitën e qendrës me vetëm një lojtare, pasi natyralizimi i një amerikanes ka dështuar e Saranda Daci dhe Zërina Shatri nuk po paraqiten për shkaqe të panjohura.

Në ndeshjet e Grupit A, Shqipëria mundi Andorrën 74:58, kurse Norvegjia mundi Armeninë 73:70.

Garat do të vazhdojnë edhe nesër, me katër duele të grupeve.

Komentet janë të mbyllura.