Kush është kundërshtari i parë i Trepçës në kualifikimet e Ligës së Kampionëve?
Prishtinë(AsistiOnline) – Kampionia aktuale e Kosovës, Trepça sot luan ndaj kundërshtarit të parë në çerekfinale të turneut kualifikues së Ligës së Kampionëve në basketboll.
Mitrovicasit në raundin e parë (çerekfinale) do të ndeshen me kampionin e Qipros, BC Keravnos.
Por, kush është në fakt kjo skuadër e ”panjohur” për basketbollin kosovar, pasi asnjëherë nuk është ndeshur me ekipet tona. AsistiOnline.com sjell një përmbledhje të historikut të Keravnos, përfshirë edhe paraqitjet në garat evropiane.
I formuar në vitin 1926 në qytetin e Nikosisë, ky klub është i treti për nga titujt e fituar në Qipro me 9 prej tyre dhe ka edhe 12 Kupa të Qipros, madje aktualisht është kampion aktual pas triumfit në serinë finale ndaj AEK Larnacas 2-3.
Ky klub ndeshjet i zhvillon në arenën e quajtur ”Costas Papaellinas Arena” me kapacitet prej 2 mijë personash. Presidenti i klubit që nga viti 1996 është biznesmeni Paris C. Papaellinas, i cili ka qenë edhe sponsori kryesor i klubit në 20 vitet e fundit.
Në pjesën më të madhe të historikut që nga themelimi, klubi ka luajtur edhe në garat evropiane, derisa nuk ka ndonjë sukses për tu veçuar, por që përvoja nuk i mungon. Keravnos edhe sezonin e kaluar u paraqit në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, por që u eliminua në gjysmëfinale të turneut kualifikues nga Benfica e Portugalisë me humbje 65-73. Pastaj, klubi qipriot vazhdoi garimin në grupet e FIBA Europe Cup, e ku fitoi fazën grupore në pozitën e parë dhe me ekipet që kishte në grup: Levice (Sllovaki), Opava (Republika çeke), Ballkan (Bullgari). Në fazën e dytë, Keravnos u eliminua pas humbjeve nga Brose Bamberg (Gjermani), Anwil (Poloni) dhe Oradea (Rumani)
Keravnos ishte i vetmi klub qipriot nga çdo sport, që arriti ndonjëherë në një finale të madhe evropiane. Në finalen e kompeticionit evropian të krijuar nga FIBA me emrin – FIBA EuroCup Challenge, Keravnos u përball me klubin rus nga Samara, duke i mundur me rezultatin 85–83 në shtëpi, por rezultati final nuk ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë skuadrës trofeun pas humbjes në Samara 101–81.
Pas fitimit të titullit të kampionit të Qipros në vitin 2019, Keravnos luajti në raundet kualifikuese të Ligës së Kampionëve, duke mposhtur Iraklisin dhe Donarin, por në ndeshjen finale për kualifikim në grupe, u elimuna nga Lietkabelisi pas dy ndeshjeve me rezultat 137-148.
Për sezonin e katërt me rradhë, sivjet klubi do të drejtohet nga trajneri grek, Michalis Kakiouzis i cili e ka vazhduar kontratën edhe për sivjet, derisa janë rinovuar kontratat edhe me disa nga lojtarët e edicionit të kaluar.
Në Keravnos në edicionin që lamë pas nga Peja aty është transferuar edhe lojtari amerikan, Jay Jay Chandler. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.