Basketboll

Kelmendi largohet nga Istogu pas 10 viteve

Prishtinë(AsistiOnline) – Labinot Kelmendi ka njoftuar sot largimin nga klubi i Istogut.

Basketbollisti që ishte edhe kapiten prej vitesh në skuadrën istogase, ka njoftuar sot se ka ndarë rrugët me klubin nga vendlindja pas 10 viteve të kaluara aty.

Nëpërmjet një njoftimi tejet emocionues në rrjetet sociale, Kelmendi ka shkruajtur se profesionalizmi nganjëherë e ka përfundimin e rrugëtimit dhe ndryshimin e klubit e për këtë ai ka falenderuar të gjithë klubin e Istogut duke e quajtur si familje dhe duke potencuar faktin se i ndihmuan të jetë sot këtu ku është, si lojtar profesionist dhe i dëshiruar nga ekipet tjera.

Kelmendi prej vitesh ka qenë prej lojtarëve kryesorë, madje luajti rol kyç në inkuadrimin historik të klubit në Superligën e Kosovës para dy edicioneve dhe ishte pjesë e tyre edhe në Superligë, duke bërë paraqitje tejet pozitive.

Njoftimi i plotë i Kelmendit:

Të dashur miq, dashamirë e bashkëvendas,
Nëpërmjet këtij postimi ju njoftoj se pas 10 viteve të kaluara si lojtar i Istogut, nga sot nuk jam pjesë e klubit me të cilin fillova gjithçka në karrierën time dhe natyrisht se kjo pjesë do të mbetet në kujtesën time përherë si një nga kujtimet më të mira basketbollistike. Ja që profesionalizmi nganjëherë e ka përfundimin e rrugëtimit dhe ndryshimin e klubit e për këtë dua që ti falenderoj të gjithë familjen e madhe të Istogut, të gjithë njerëzit që punojnë natë e ditë në klub, si dhe qytetarët e Komunës për përkrahjen e madhe, ku gjithë këtyre përkrahësve që më ndihmuan të jem sot, këtu ku jam, si lojtar profesionist dhe i dëshiruar nga ekipet tjera, ju jam falenderues gjithmonë. Dera ime do të jetë e hapur përherë për ju, u pafshim vetëm për të mira.
Me respekt,
I juaji Labi

Komentet janë të mbyllura.