Fetahu: FBK është një nga organizatat sportive më transparente dhe llogaridhënëse në vend
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu ka qenë panelist Tryezë diskutimin “Sporti dhe demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen”.
Diskutimi është organizuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, në koordinim me Kuvendin e Kosovës përmes Forumit për Transparencë Parlamentare, me mbështetje nga DemSports dhe NDI.
“Me mburrje e krenari them që FBK është një nga organizatat sportive më transparente dhe llogaridhënëse në vend, duke mbështetur kësisoj dy prej parimeve bazike të demokracisë përmes publikimit të të gjitha aktiviteteve dhe vendimeve të veta online dhe përmes njoftimeve në formë buletini të të gjithë palëve me interes për to”, është shprehur Fetahu, duke shtuar: “Sigurimin e barazisë dhe integritetit të garave dhe veprimtarisë sonë, ku si organizatë shquhemi për mosndikim dhe implementim të parezervë të të gjitha obligimeve që ndërlidhen me anti-dopingun, me bashkëpunim të ngushtë me të gjitha organet e rendit në kuptim të parandalimit apo trajtimit të kurdisjeve apo dukurive tjera negative, me zbatim të drejtë të rregulloreve tona të garave, trajtim të barabartë të pjesëmarrësve, vendimmarrje të bazuar në vlerësime e argumentime racionale, etj.
Jemi organizata e parë sportive në Kosovë që ka emëruar Personin Përgjegjës për Integritet dhe e para që ka identifikuar keqpërdorime me stimulues në bashkëpunim me KOSADA”, është shprehur ndër të tjera i pari i basketbollit të Kosovës në Tryezën e Diskutimit.
Fetahu gjithashtu ka folur për “Të drejtën e pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe zgjedhjes së lirë të drejtuesve”, “Promovimin e barazisë gjinore dhe gjithpërfshirjes” dhe “Edukimi dhe vetëdijesimi”.
Në Panelin e Diskutimit për “Sporti dhe demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen” kanë qenë:
Alex Chavarria, ish-drejtor i NDI në Kosovë
Agon Batusha, Deputet, Kryesues i grupit jo-formal të
deputetëve të rinj
Eliza Hoxha, Deputete, Anëtare e Komisionit Parlamentar për Sport
Vlora Dumoshi, Deputete, Anëtare e Komisionit Parlamentar për Sport
Arben Fetahu, Kryetar i Federatës të Basketbollit të Kosovës
Të pranishëm në këtë event kanë qenë Kryetarë, përfaqësues të Federatave Sportive dhe klubeve, kurse nga FBK kanë qenë edhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm dhe Menaxheri i Përfaqësueseve të Kosovës, Adriatik Rraci dhe Drejtor i Programeve dhe Projekteve Zhvillimore, Granit Rugova.
Diskutimi është fokusuar dy qasje:
Demokracia në Sport: Ky segment ka shqyrtuar parimet themelore të demokracisë dhe vlerat e saj thelbësore. Do të nxjerrë mësime nga Kuvendi i Kosovës, duke u përqendruar në rëndësinë e transparencës, përgjegjshmërisë dhe pjesëmarrjes së barabartë në proceset demokratike.
Demokracia përmes Sportit: Ky seksion ka eksploruar rolin e sportit si një mekanizëm për edukimin qytetar, promovimin e ndryshimeve sociale dhe avancimin e diplomacisë ndërkombëtare.
Komentet janë të mbyllura.