Basketboll

Trepça mposhtet ngushtë nga kampioni çek, mbyll me dinjitet sezonin në Ligën e Kampionëve

Prishtinë(AsistiOnline) – Trepça e ka mbyllur aventurën e sivjetme në Ligën e Kampionëve.

Ekipi mitrovicas u mposht sot në gjysmëfinale të turneut kualifikues nga kampioni i Çekisë Nymburku me rezultat 84-78.

Rrjedha e ndeshjes ishte tejet interesante me ekipin e Nymburkut që fitoi dy çerekët e parë (20-17, 20-18) dhe shkoi në pushim me pesë pikë dallim 40-35.

Në pjesën e dytë, vazhdoi loja e ngushtë me ekipin çek që fitoi poashtu ngushtë çerekun e tretë (21-19), loja e ngushtë dhe e luftuar u zhvillua edhe në periodën e fundit me Trepçën që fitoi minimalisht (23-24), por jo mjaftueshëm sa për të përmbysur komplet sfidën dhe kësisoj fitorja ju takoi çekëve.

Performanca fantastike e Sammy Hunter s’mjaftoi sot për fitoren e Trepçës, lojtar i cili realizoi plot 28 pikë e 6 kërcime, derisa 15 pikë shtoi edhe Malik Johnson e Dardan Kapiti kishte 12 të tjera.

Te Nymburku më të dalluarit në këtë fitore ishin, Christian Bishop me 15 pikë e Tylan Birts me 14 të tjera.

Me këtë humbje, Trepça eliminohet nga Liga e Kampionëve për këtë edicion e Nymburku luan në finale të turneut ndaj Kalec/Cramos apo Levices.

Trepça do ti vazhdojë garat në stinorin e rregullt të kompeticionit tjetër evropian FIBA Europe Cup.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.