Basketboll

Grapeland bën rikthim të pabesueshëm dhe barazon serinë finale, Rexha dhe Durguti vendimtarë

Seria finale për një vend në Superligën e Kosovës në basketboll është rikthyer në baraspeshë.

Ekipi i Grapeland ka arritur një fitore të madhe në ndeshjen e dytë ndaj KEK-ut në Obiliq, duke barazuar serinë në 1-1 dhe duke e shtyrë vendimin final për inkuadrimin në elitë në një “finale të madhe” që do të zhvillohet në Rahovec.

Në një ndeshje ku dominuan emocionet dhe lufta për çdo top, Bardh Rexha shkëlqeu sërish për Grapelandin. Ai ishte vendimtar në suksesin e skuadrës së tij me një paraqitje të plotë: double-double prej 19 pikësh, 10 kërcimesh dhe 5 asistimesh. Ndihmën e duhur e mori edhe nga Albin Berisha, i cili shtoi 18 pikë të rëndësishme. Duhet cekur se sonte pikë vendimtare te Grapeland në minutat e fundit i realizoi Hadis Durguti, duke shënuar 8 sosh.

Përkundër përpjekjeve të mëdha, KEK-ut nuk i mjaftuan 19 pikët e Reggie Clark dhe 18 të tjera nga Visar Ejupi për ta mbajtur epërsinë e serisë në shtëpi.

Tashmë, e gjithë vëmendja është e përqendruar në ndeshjen e tretë dhe të fundit që do të luhet në Rahovec, ku do të përcaktohet përfundimisht ekipi që do të marrë një vend në Superligën e Kosovës për sezonin e ardhshëm.

Komentet janë të mbyllura.