Basketboll

Turqia e Memnunit humb në çastet e fundit ndaj Francës në ndeshjen hapëse të Eurobasketit për femra

Kombëtarja e Turqisë e drejtuar nga trajneri me prejardhje shqiptare, Ekrem Memnun, pësoi humbje dramatike në çastet e fundit të ndeshjes hapëse të Eurobasketit për femra 2025, duke u mposhtur nga Franca me rezultat të ngushtë 69-71. Sfida u zhvillua në Piraeus të Greqisë dhe shënoi nisjen e këtij turneu që këtë vit organizohet në katër shtete.

Turqia pati epërsinë në shumicën e kohës së takimit, duke kontrolluar ritmin e lojës dhe duke mbajtur në distancë kundërshtaret franceze. Megjithatë, në minutat e fundit, përqendrimi i lojtareve turke ra, çka i dha mundësinë Francës të rikthehej në lojë dhe të siguronte fitoren.

Pavarësisht paraqitjes mbresëlënëse të amerikanes së natyralizuar Teaira McCowan, e cila realizoi një double-double me 20 pikë e 15 kërcime, si dhe ndihmës së madhe nga Olcay Çakır me 18 pikë, Turqia nuk arriti të ruajë avantazhin deri në fund.

Në anën tjetër, Franca u mbështet te forma e shkëlqyer e Janelle Salaun, e cila ishte lojtare vendimtare me 22 pikë të realizuara, si dhe te Valeriane Ayayi, që shtoi 14 pikë të tjera për skuadrën e saj.

Ky duel i fortë dhe me shumë emocione shënoi një fillim të zjarrtë për Eurobasketin, i cili këtë vit zhvillohet paralelisht në katër vende: Greqi, Itali, Çeki dhe Gjermani. Turqia tashmë do të kërkojë të rikuperohet në ndeshjet e radhës për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.

Komentet janë të mbyllura.