Ish trajneri i Trepçës rikthehet në basketbollin kosovar, merr drejtimin e Borës
Skuadra prishtinase e Borës ka bërë një lëvizje interesante në afatin kalimtar veror për edicionin e ri të Superligës së Kosovës në basketboll.
Siç mëson AsistiOnline.com, bashkëpunimi mes trajnerit bullgar Lubomir Minchev dhe klubit të Borës është tashmë çështje e kryer, me ç’rast 54-vjeçari do të marrë drejtimin e ekipit simpatik prishtinas për sezonin 2025/26.
Minchev sezonin e kaluar e kaloi në bankinën e Spartak Plevenit në kampionatin bullgar, por për basketbollin kosovar nuk është emër i panjohur. Ai kishte një periudhë të suksesshme me Trepçën në sezonet 2021–2023, duke udhëhequr mitrovicasit drejt një trofeu dhe dy finaleve.
Karriera e Minchevit përpos Spartak Plevenit dhe Trepçës, është e lidhur edhe me klube të njohura bullgare që ai ka drejtuar si: Beroe, Levski, Lukoil Academic dhe Cherno More. Po ashtu, ai ka qenë edhe trajner i Kombëtares së Bullgarisë, duke fituar përvojë të rëndësishme ndërkombëtare që pritet ta sjellë tani në Prishtinë.
Emërimi i Minchevit shihet si një hap i madh për ambiciet e Borës, që synon të forcohet ndjeshëm për edicionin e ardhshëm dhe të jetë një faktor serioz në garën pozitat e para në tabelë.
Mbetet të shihet si do të konfigurohet skuadra nën drejtimin e trajnerit të ri. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.