Bora përforcohet me qendër amerikane tejet cilësore
Klubi i Borës ka bërë goditjen e parë të huaj në merkaton verore duke firmosur me qendrën amerikane Tyson Jackson.
Lojtari 24-vjeçar nga New Yorku i SHBA-ve, vjen me përvojë solide ndërkombëtare dhe pritet të sjellë fizik, energji dhe efikasitet nën kosh për ekipin në sezonin e ri.
Jackson është 2.06 metra i gjatë, duke u pozicionuar natyrshëm si qendër në parket.
Në sezonin e fundit ai ka luajtur në ligën gjeorgjiane me ekipin e Orbit me mesatare prej 18 pikëve e 10 kërcime.
Para Gjeorgjisë lojtari ka luajtur edhe te skuadra serb e Novi Pazar, ku u dallua me mesatare prej 15.2 pikësh dhe 8.9 kërcimesh për ndeshje, duke qenë edhe këtu një ndër figurat kryesore të ekipit të tij.
Aftësitë e tij për të dominuar në zonën e pikturuar dhe për të kontribuar në mbrojtje e bëjnë atë një prurje të rëndësishme për ambiciet e Bores këtë sezon.
Karriera universitare e Jackson përfshin dy programe të njohura në SHBA – Middle Tennessee State dhe University of New Orleans. Në sezonin 2022–23 me New Orleans, ai luajti si titullar në të gjitha 32 ndeshjet, me një mesatare prej 11.4 pikësh dhe 4.8 kërcimesh, duke regjistruar një përqindje mbresëlënëse gjuajtjesh prej 61%. Më parë, në vitin e tij të parë me Middle Tennessee, u përfshi në formacionin më të mirë të debutuesve në Conference USA, gjë që tregonte potencialin e tij të hershëm.
Me nënshkrimin e Tyson Jackson, Bores synon të përforcojë pozitën 5 me një lojtar të fuqishëm fizikisht, me përvojë dhe që mund të ndikojë menjëherë në lojë. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.