Basketboll

Trepça mëson kundërshtarin e raundit të parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve

Ekipi kampion i Kosovës në basketboll, KB Trepça, ka mësuar kundërshtarin e saj në rrethin kualifikues të Ligës së Kampionëve, pas shortit të hedhur nga organizatorët e garës.

Trepça do të përballet në çerekfinale të raundit kualifikues me skuadrën nga Holanda, Heroes Den Bosch, ish-klubi ku ka luajtur edhe përfaqësuesi i Kosovës, Edon Maxhuni.

Në rast fitore ndaj ekipit holandez, mitrovicasit do të përballen në gjysmëfinale të kualifikimeve me fituesin e çiftit mes Bakken Bears nga Danimarka dhe BC Kutaisi 2010 nga Gjeorgjia.

Kjo është një sfidë e rëndësishme për klubin nga Mitrovica, që synon debutimin në fazën grupore të një gare evropiane, përmes një turneu eliminator që do të zhvillohet në formë të përqendruar gjatë muajit shtator. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.