Ekskluzive: Bashkimi afër marrëveshjes me trajnerin Igor Jovovic
Klubi i Bashkimi është në bisedime të avancuara me trajnerin e njohur malazez Igor Jovović, i cili mund të marrë drejtimin e ekipit për sezonin e ri.
Burime të AsistiOnlit.com brenda klubit konfirmojnë se negociatat kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe një marrëveshje zyrtare mund të arrihet shumë shpejt.
Jovović i lindur në Podgoricë, është një emër i njohur në basketbollin malazez dhe më gjerë.
Ai e nisi karrierën si trajner ndihmës te Buducnosti i Podgoricës, ku më pas u promovua si trajner i parë dhe udhëhoqi skuadrën drejt dy titujve kampionë në Mal të Zi, si dhe dy gjysmëfinale në Ligën ABA. Karriera e tij ndërkombëtare përfshin ekipe të njohura si Mitteldeutscher BC në Gjermani, me të cilët fitoi titullin në ProA në vitin 2017 dhe siguroi ngjitjen në elitën e basketbollit gjerman (BBL), Stelmet Zielona Góra në Poloni, si dhe Telekom Baskets Bonn e Bayern Munich, ku ka shërbyer edhe si asistent.
Jovović është i njohur për stilin modern të lojës dhe aftësinë për të zhvilluar lojtarë të rinj, si dhe për përvojën e tij në ndërtimin e projekteve afatgjata me rezultate konkrete. Pikërisht për këto arsye, ai shihet si kandidati ideal për të udhëhequr Bashkimin në ambiciet e tij të reja drejt suksesit në Superligë dhe pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare.
AsistiOnline.com do t’ju mbajë të informuar për rrjedhën e zhvillimeve te skuadra e Bashkimit. /AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.