Basketboll

Zyrtare: Lis Shoshi te Ylli për dy edicionet e ardhshme

Njëri nga emrat më të mëdhenj të basketbollit kosovar, Lis Shoshi, ka konfirmuar të ardhmen e tij sportive: ai do të vazhdojë të jetë pjesë e kampionëve të Kosovës, Golden Eagle Yllit, edhe për dy vite të tjera.

Lajmi është bërë i ditur sonte nga vetë klubi therandas përmes një njoftimi zyrtar në rrjete sociale.

“Lis Shoshi, i shumëkërkuari nga klubet në Kosovë, e di se ku është më së miri – në shtëpinë e kampionëve. Lisi do të jetë për dy vite pjesë e Golden Eagle Yllit. Në vitin jubilar – 50 vjet Golden Eagle Ylli – bashkohemi më të fortë se kurrë!”, shkruan njoftimi i therandasve.

Shoshi ka qenë një nga figurat kyçe në sukseset e Yllit në sezonet e fundit dhe vazhdimi i tij në Therandë përkon me ambiciet e klubit për të mbrojtur titullin dhe për të shkëlqyer në garat ndërkombëtare.

Me përvojën dhe prezencën dominuese në parket, Shoshi mbetet një prej lojtarëve më të vlerësuar në basketbollin kosovar dhe një aset i madh për çdo skuadër.

Vendimi i tij për të qëndruar në Therandë është një lajm i madh për tifozët “Xhebrailat” dhe një sinjal i qartë se Ylli synon trofetë në basketbollin vendor.

Ky rinovim vjen në një vit të veçantë për klubin, që shënon 50-vjetorin e themelimit – dhe me Shoshin në radhët e tyre, synimet janë më të mëdha se kurrë.

Komentet janë të mbyllura.