Basketboll

Ekskluzive: Mes interesimit të madh, Jetmir Zeqiri vazhdon me Borën

Një nga basketbollistët më të dalluar vendorë të sezonit të kaluar në Superligën e Kosovës, Jetmir Zeqiri, do të vazhdojë të mbajë fanellën e Borës edhe për edicionin e ri.

Klubi kryeqytetas dhe lojtari kanë rënë dakord për rinovimin e bashkëpunimit, pavarësisht interesimit të madh nga klube të tjera, ka mësuar kështu AsistiOnline.com

Zeqiri ishte ndër shtyllat kryesore të Borës në sezonin e kaluar, duke kontribuar me mesatare prej 10 pikëve dhe 6.7 kërcime për ndeshje. Performanca e tij konsistente, sidomos në fazat kyçe të kampionatit, bëri që ai të jetë në radarin e disa skuadrave elitare të Kosovës, por në fund ai zgjodhi të vazhdojë në Prishtinë.

Burime të AsistiOnline.com brenda klubit bëjnë të ditur se vendimi i Zeqirit për të qëndruar lidhet me projektin ambicioz të Borës për sezonin e ri. Ekipi synon jo vetëm kualifikimin në play-off, por edhe të jetë faktor serioz në garën për titull.

Bora tashmë veçse e ka kompletuar ekipin për stinorin 2025/26 dhe është ekipi i parë në Superligën tonë që e bën një hap të tillë, duke konfirmuar edhe një herë tjetër, seriozitetin me të cilin drejtuesit e klubin e kanë marrë garën në basketbollin kosovar. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.