Basketboll

Amerikani Seth Pinkney i bashkohet Vëllaznimit

Klubi i Vëllaznimit e ka zyrtarizuar përforcimin e radhës për sezonin e ri në Superligën e Kosovës.

Bëhet fjalë për qendrën amerikane Seth Pinkney, një lojtar i gjatë 2.16 metra, i njohur për prezencën dominuese nën kosh dhe aftësitë e tij në mbrojtje.

Pinkney vjen në radhët e kuqezinjve pas një eksperience të fundit në Frayles de Guasave në Meksikë dhe më herët në Apollon Limassol të Qipros.

Krahas përvojës ndërkombëtare, ai ka luajtur edhe në ligën e kolegjeve amerikane NCAA, ku mbrojti ngjyrat e ekipeve Quinnipiac Bobcats dhe Florida Gulf Coast.

Lojtari karakterizohet për kërcimet mbresëlënëse, energjinë e madhe në parket dhe aftësinë për të ndikuar në lojë edhe pa poseduar topin, veçori që pritet të jenë tejet të vlefshme për skuadrën gjakovare në garat e sezonit 2025/26.

Nga Vëllaznimi kanë bërë të ditur se Pinkney shihet si një nga shtyllat kryesore të ekipit për edicionin e ri dhe se angazhimi i tij përforcon ambiciet e klubit në elitën e basketbollit kosovar.

Komentet janë të mbyllura.