Trajneri i Trepçës, Adis Beçiragiq, është shpallur Trajneri i Vitit në Bosnje dhe Hercegovinë, në ceremoninë tradicionale “Atleti më i Mirë i Bosnjës dhe Hercegovinës”, e mbajtur sonte në Sarajevë.
Beçiragiq u vlerësua për suksesin historik me përfaqësuesen e basketbollit të Bosnjës dhe Hercegovinës në Eurobasket, ku “Dragonjtë” arritën fazën eliminatore të Kampionatit Evropian pas plot 32 vitesh. Ky rezultat u konsiderua një nga arritjet më të mëdha të sportit boshnjak në vitet e fundit dhe i solli atij çmimin më prestigjioz për trajnerë në vendlindje.
Përveç suksesit me kombëtaren, Adis Beçiragiq aktualisht drejton edhe Trepçën në basketbollin kosovar, duke konfirmuar nivelin e lartë profesional dhe ndikimin e tij si trajner, si në nivel klubesh ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Ky vlerësim në Bosnje dhe Hercegovinë është një tjetër dëshmi e punës së tij të suksesshme dhe e reputacionit që gëzon në basketbollin evropian. /AsistiOnline.com/



