Trepça dhe Bashkimi po takohen për herë të katërt në histori në Finale të Kupës së Kosovës që nga viti 1991/92 dhe pavarësimi i basketbollit tonë dhe deri tash, të tri finalet i kanë fituar mitrovicasit.
Përndryshe është kjo hera e tretë në pesë vitet e fundit dhe e dytë rresht që rivalet e vjetër takohen në betejën finale për trofe.
Finalja e vitit 2012 ishte përballja e parë direkt ndërmjet rivalëve të vjetër dhe Trepça ishte ajo e cila e ngriti trofeun.
U desh të kalojnë plot 10 vjet që këto dy skuadra të ndeshen përsëri në finale.
Ishte kjo finalja e Kupës së Kosovës 2022 e cila i vuri përballë mitrovicasit dhe prizrenasit, kësaj radhe në Karagaq të Pejës dhe Trepça përsëri fitoi duke e ngritur Kupën e Kosovës 2022 që njëherësh ishte edhe trofeu i parë për mitrovicasit pas “agjërimit” të gjatë plot një dekadë.
Në vitin 2012, Trepça e mposhti Bashkimin me 15 pikë epërsi, 86:71 dhe në vitin 2022 epërsia ishte pothuaj identike, kësaj radhe me plus 14, me rezultat 76:62.
Duhet theksuar patjetër se në të dyja finalet, figurë kryesore e Trepçës ishte Drilon Hajrizi i cili u shpall MVP i të dyja këtyre finaleve, në vitin 2012 duke shënuar 15 pikë kurse në finalen e vitit 2022, realizoi 24 sosh.
Pikërisht trofeu i vitit 2022 kundër Bashkimit ishte pikënisja e shkëlqimit të skuadrës së Trepçës ku nga ai vit xehetarët dolën fitues të Kupës së Kosovës edhe në vitin 2023 dhe 2024, në dy finale El Clasico të basketbollit kosovar kundër Sigal Prishtinës në të cilat po ashtu triumfuan.
Krejt në fund, vitin e kaluar, në finalen e Kupës së Kosovës 2025 Trepça dhe Bashkimi u takuan përsëri dhe përsëri triumfuan mitrovicasit duke e fituar Kupën e Kosovës për herë të katërt rresht.
Vitin e kaluar, finalja e Kupës 2025 u zhvillua në kryeqytet dhe në një ambient fantastik kurse në fund të një dueli fenomenal, Trepça triumfol me rezultat 85:79 për ta ngrit Kupën e katërt rresht
Ajo ndeshje ishte tepër e bukur dhe një finale e vërtet, ishte e barabartë për plot 32 minuta kur semafori tregonte 63:63 dhe skuadra shënoni kosh për kosh megjithatë, kur kishin mbetur edhe 8 minuta deri në fund Trepça eksplodoi.
Rikujtojmë se, kur kishin mbetur edhe 8 minuta e 8 sekonda deri në fund të finales së vjetme,m Trepça e nisi serinë e furishme prej hiq më pak se 18:0 dhe gjatë 4 minutave të ardhshme përmes lojës së shkëlqyeshme të treshes: Sammy Hunter, Michael Green dhe Tekele Cotton, mitrovicasit u shkëputën në rezultat prej 81:63 ndërsa kishin mbetur edhe 4 minuta lojë.
Pavarësisht se deri në fund, prizrenasit e shkrinë avantazhin në 6, portokallinjtë nuk patën fuqi për ta përmbys rezultatin dhe kështu për herë të tretë pas finaleve 2012, 2022 dhe kësaj radhe në finalen 2025, Trepça triumfoi ndaj Bashkimit për ta fituar kupën e katërt rresht dhe të tetën në total nga viti 1991/92 dhe pavarësimi i basketbollit kosovar
Historia pa dyshim flet në të mirë të mitrovicasve të cilët në të tri finalet ishin më të mirë se prizrenasit por sivjet, në ktë moment, kur e analizojmë stinorin aktual:
rezultatet,
formën dhe kompozimin e ekipit të Bashkimit,
një kimi fenomenale e cila mbretëron midis lojtarëve, trajnerëve, udhëheqësve të klubit dhe tifozëve.
Të gjithë këta, sivjet janë bërë një dhe pas startit të jashtëzakonshëm në fillim të vjeshtës, me 7 fitore pa humbje, si dhe debutimit historik të fantastik në FIBA Europe Cup me 4 fitore ndaj skuadrave super të forta si Anvili polak (kampion i kësaj gare me 2023), duke shkel CDibonën legjendare me 20 pikë në Prizren, për shkak të lëndimeve të shumta, largimit të lojtarit vendor kryesor, Jan Palokajt, në drejtim të Cibonës, pavarësisht nga kriza e madhe në të cilën u futën duke pësuar 5 humbje dhe fituar vetëm 2 ndeshje në ciklin e dytë vjeshtor, megjithatë, qëndruan të palëkundur.
Prizrenasit i përballuan ato momente të vështira të krizës dhe fal durimit dhe besimit në punën e trajnerit Igor Jovoviq dhe ekipit të tij, qetësia dhe rezultatet mira te bashkimi u kthyen dhe ku janë portokallinjtë përsëri në finalen e Kupës së Kosovës, për herë të tretë në pesë vitet e fundit.
Faktet, forma e skuadrave dhe rezultatet e fundit flasin se rivaliteti sonte pritet të jetë shumë më i madh, duke filluar nga përballja e filozofive të dy trajnerëve, Adis Beqiragiqit i cili tash e 6 vite po e dominon basketbollin kosovar me 12 trofe të fituar me 3 klube të ndryshme (7 prej tyre me Trepçën) dhe nga ana tjetër Igor Jovoviqi i cili sivjet bëri mrekulli me skuadrën portokalli.
Me të vërtet sonte, kjo finale i ka të gjitha parakushtet që të jetë një finale e mrekullueshme dhe e paharrueshme
Transmetimi i ndeshjes fillon nga ora 19:00 me Pre Game Show me Ulpiana Emrën dhe mysafirët special Bekim Maxhunin dhe Valentin Spaqin kurse komentimin e duelit do ta bëjë Agon Fehmiu me fillim nga ora 19:20 në kanalin Sport 2 të Artmotion



