Under Header

spot_img

Kosova mes mungesave dhe realitetit: A mjafton arsyetimi me dy veteranë?

spot_img

Humbja e Kosovës në parakualifikimet për EuroBasket 2029 riktheu një debat të vjetër tek ne se a duhet të arsyetohemi me mungesat, apo të përballemi me problemin më të madh – mungesën e vazhdueshme të rezultateve?

Në përballjen ndaj Sllovakisë u ndje qartë mungesa e Dardan Berishës dhe Drilon Hajrizi. Përvoja, qetësia në momente presioni dhe pesha që ata ende mbajnë në fanellë dihet se nuk zëvendësohen lehtë. Por pyetja thelbësore është tjetër:

A duhet një Përfaqësuese që synon të rritet të varet ende nga dy lojtarë 35 dhe 37 vjeç?

Prej vitesh, Kosova në basketbollin e meshkujve ka lëvizur në të njëjtin rreth. Ndeshje me entuziazëm, deklarata për potencial, por pak hapa konkretë përpara në aspektin e rezultateve. Çdo cikël kualifikues sjell shpresë, por përfundon me të njëjtat konkluzione – mungesë thellësie në përbërje dhe diferencë cilësore ndaj kundërshtarëve direktë.

Nëse mungesa e dy veteranëve e ndryshon kaq shumë fytyrën e ekipit, atëherë problemi nuk është vetëm lista e ndeshjes së radhës. Problemi lidhet me zhvillimin afatgjatë. Ku janë lojtarët që duhet ta marrin barrën? Ku janë produktet e gjeneratave të reja që jo vetëm plotësojnë numrin, por vendosin ritmin?

Është e qartë se përvoja është e domosdoshme. Një ekip serioz ndërtohet me kombinimin e energjisë së re dhe liderëve me kilometrazh ndërkombëtar. Por suksesi nuk mund të mbështetet pafundësisht te e kaluara. Berisha dhe Hajrizi kanë dhënë shumë për Përfaqësuesen, por një projekt kombëtar nuk mund të mbetet peng i moshës së artë të dy individëve.

Basketbolli kosovar ka nevojë për reflektim më të thellë: Investim real në baza, më shumë minuta për lojtarët e rinj në Superligë, ekspozim jashtë vendit dhe një plan të qartë zhvillimi. Përndryshe, çdo humbje do të shpjegohet me mungesa, ndërsa thelbi do të mbetet i paprekur.

Në fund, pyetja nuk është pse munguan dy veteranë. Pyetja është pse, pas kaq vitesh, Kosova ende nuk ka krijuar alternativa të gatshme për t’i zëvendësuar ata. /AsistiOnline.com/

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme