Kampionia në fuqi, Trepça, ka zgjatur në 13 numrin e fitoreve radhazi në Superligën e Kosovës, pasi mposhti në udhëtim GO+ Peja me rezultat 98:95, pas vazhdimeve, në kuadër të xhiros së 22-të.
Sfida e zhvilluar në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhuroi emocione deri në sekondat e fundit. Vendasit e nisën më mirë ndeshjen, duke fituar çerekun e parë 20:13 dhe duke diktuar ritmin në minutat hapëse.
Megjithatë, reagimi i mitrovicasve erdhi shpejt. Trepça dominoi periodën e dytë me shifrat 29:18, duke përmbysur gjithçka dhe duke shkuar në pushim me epërsi 42:38.
Në pjesën e dytë loja mbeti e baraspeshuar. Peja e fitoi çerekun e tretë 26:24, ndërsa në dhjetëminutëshin e fundit u hy me rezultat të ngushtë 66:64 në favor të mysafirëve.
Rreth shtatë minuta para fundit, Musab Mala kaloi vendasit në epërsi 71:70, duke shtuar edhe më shumë tensionin në parket. Ishte po Mala që, një sekondë para fundit të kohës së rregullt, realizoi për tri pikë për 87:87, duke e dërguar takimin në vazhdime.
Pesë minutat shtesë ishin po aq dramatike. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt një tjetër përfundimi të ngushtë, Ja’Cori Payne mori përgjegjësinë dhe gjashtë sekonda para fundit realizoi një treshe vendimtare për 98:95. Në aksionin e fundit, Cecil Williams provoi të barazonte, por tentativa e tij nuk gjeti cakun.
Payne ishte lojtari më i dalluar te Trepça me 27 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime. Kenny Hasbrouck shtoi 16 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime. Në anën tjetër, Cesare Edwards shkëlqeu për Pejën me 30 pikë dhe 17 kërcime, por paraqitja e tij mbeti pa shpërblim.
Me këtë fitore, Trepça kryeson renditjen me 41 pikë, duke numëruar 19 fitore dhe tri humbje, ndërsa GO+ Peja pozicionohet e katërta me 32 pikë. /AsistiOnline.com/



