Klubi kosovar Sigal Prishtina ka njoftuar se është detyruar të ndërpresë pjesëmarrjen në garën evropiane European North Basketball League (ENBL).
Në një njoftim zyrtar, klubi ka bërë të ditur se ky vendim ka ardhur si pasojë e obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj ligës, të cilat sipas tyre janë krijuar nga kryesia e kaluar e klubit.
Prishtina ishte plasuar deri në çerekfinale të play off-it të ENBL Ligës, atje ku ishte paraparë të luajë ndaj Dinamos së Zagrebit pas pak ditësh, por kjo ndeshje tashmë është anuluar.
Sipas drejtuesve aktualë, pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje dhe për të vazhduar garimin në këtë kompeticion ndërkombëtar, obligimet e trashëguara e kanë bërë të pamundur vazhdimin e pjesëmarrjes në këtë fazë.
Në të njëjtën kohë, klubi ka theksuar se duke marrë parasysh situatën sportive nëpër të cilën po kalon skuadra dhe krizën aktuale të rezultateve, fokusi në këtë periudhë do të jetë tek garat vendore dhe stabilizimi i ekipit.
Nga Sigal Prishtina kanë bërë të ditur se mbeten të përkushtuar për rikthimin e stabilitetit në klub dhe për rezultate që i përgjigjen historisë dhe traditës së skuadrës nga kryeqyteti.
Në fund të njoftimit, klubi ka falënderuar drejtuesit dhe zyrtarët e European North Basketball League për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar ndaj klubit prishtinas. /AsistiOnline.com



