Një histori e rrallë në basketbollin evropian është regjistruar nga Monaco, që brenda vetëm dy ditësh arriti dy suksese madhore: kualifikimin në “Play-off” të Euroligës dhe fitimin e Kupës së Francës.
Fillimisht, skuadra nga Principata zhvilloi një përballje vendimtare ndaj Barcelonës në Euroligë, ku arriti fitore të madhe për të siguruar një vend në fazën “Play-off”. Një ndeshje me presion të lartë dhe rëndësi maksimale, ku Monaco tregoi karakter dhe qëndrueshmëri.
Por ajo që e bën këtë histori edhe më të veçantë është ajo që ndodhi menjëherë pas kësaj ndeshje.
Pa shumë kohë për pushim, ekipi udhëtoi drejt kryeqytetit të Francës Parisit, për të zhvilluar finalen e Kupës së Francës, ku u përball me Le Mans Sarthe Basket.
Në një tjetër duel të fortë, Monaco arriti të fitojë me rezultat 83-87, duke ngritur trofeun dhe kompletuar një nga arritjet më të pazakonta në basketbollin evropian – dy ndeshje të nivelit të lartë brenda 48 orëve, me dy objektiva të mëdhenj të realizuar.
Një situatë e tillë është rrallëherë e parë në këtë nivel, për të mos thënë se mund të jetë një rast unik në basketbollin modern evropian.
Ky sukses merr edhe më shumë peshë duke pasur parasysh sfidat që ka kaluar Monaco gjatë këtij sezoni. Klubi është përballur me probleme të shumta, përfshirë edhe vështirësi financiare, që në shumë raste kanë vënë në pikëpyetje stabilitetin e ekipit.
Megjithatë, pavarësisht këtyre rrethanave, skuadra nënkampione aktuale e Euroligës ka treguar se nuk dorëzohet lehtë. Performanca në parket ka qenë përgjigjja më e mirë, duke dëshmuar se Monaco vazhdon të jetë një forcë serioze në basketbollin evropian.
Dy ditë, dy ndeshje, dy objektiva të arritura – një tregues i qartë i karakterit dhe ambicies së kësaj skuadre. /AsistiOnline.com/



