Finalja e dytë e “Play-off”-it në basketbollin kosovar solli tjetër spektakël në palestrën Minatori, aty ku KB Trepça triumfoi ndaj KB Bashkimi me rezultat 93:83 dhe krijoi epërsi 2:0 në serinë finale.
Mbi 3000 tifozë krijuan atmosferë të zjarrtë në Mitrovicë, ndërsa dy skuadrat dhuruan basketboll cilësor dhe duel të fortë deri në minutat e fundit të takimit.
Mitrovicasit e nisën më mirë sfidën duke fituar çerekun e parë 23:20, por prizrenasit reaguan në periudhën e dytë dhe arritën të kalojnë edhe në epërsi 27:23. Megjithatë, në fundin e pjesës së parë vendasit shtuan ritmin dhe me një seri të mirë pikësh shkuan në pushim me rezultat 53:40.
Bashkimi nuk u dorëzua dhe në periudhën e tretë e uli diferencën në vetëm tri pikë, 57:54, duke e rikthyer plotësisht ndeshjen në lojë. Por skuadra e drejtuar nga Adis Beqiragiq reagoi shpejt me mbrojtje të fortë dhe organizim më të mirë në sulm, duke hyrë në dhjetëminutëshin e fundit me epërsi 70:62.
Në minutat vendimtare, mysafirët tentuan rikthimin final dhe një minutë pa përfunduar sfida rezultati ishte 88:83. Megjithatë, Bashkimi nuk arriti të realizojë më deri në fund, ndërsa Kenneth Hasbrouck dhe Akili Vining vulosën triumfin e “Xehetarëve”.
Më i dalluari te Trepça ishte Akili Vining me 26 pikë, tri kërcime dhe një asistim, ndërsa Kenneth Hasbrouck shtoi 18 pikë. Te prizrenasit u veçuan Shannon Shorter me 20 pikë dhe Jalen Riley me 22 pikë.
Seria finale tani bartet në Prizren, ku ndeshja e tretë do të zhvillohet të dielën nga ora 19:30 në palestrën Sezai Surroi. Trepça tashmë ndodhet vetëm dy fitore larg titullit të tretë radhazi kampion në basketbollin kosovar.



