Basketboll

PROFILI I LIPJANIT: MEZI MBIJETOI, ÇKA PRESIN LIPJANASIT NË STINORIN E RI

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Lipjanit është në radhë, për tu profilizuar nga AsistiOnline, në formë të analizës që po bëhet para nisjes së Kampionatit të ri në elitën e basketbollit tonë.

Lipjani është skuadër e formuar para disa vitesh, që debutimin në Superligë e kishte bërë pikërisht në stinorin e kaluar të elitës së basketbollit tonë.

Realisht lipjanasit që në vitin e parë në Superligë kishin hasur në vështirësi, sidomos financiarisht. Kjo bëri që ata të hasnin në vështirësi për të afruar lojtarë cilësorë edhe pse po bënin lojëra të mira sidomos në gjysmë stinorin e dytë. Bilanci i Lipjanit në stinorin debutues në Superligë ishte, 4 fitore dhe 24 humbje duke zënë pozitën e 7-të në renditjen tabelare.

Sa i përket sukseseve të Lipjanit, suksesi më i madh është vetë hyrja në Superligë në atë stinor, ngase Lipjani debutoi në Superligë dhe sukses mund të llogaritet edhe mbijetesa, duke parë vështirësitë në të cilat hasi Lipjani, madje edhe mbijetesën e siguroi vetëm pas ndeshjeve të “Play Out”-it me Vëllaznimin, ku arriti të triumfojë në saje të pikëve që i kishte realizuar më shumë nga të dyja ndeshjet.

Sa i përket rosterit të Lipjanit, për dallim nga viti i kaluar kur dihej e gjithë skuadra para fillimit të stinorit. Këtë vit skuadrës si duket i ka humbur “rruga në oborr”, sepse kur stinorin i ri nisë në më pak se 10 ditë, klubi ende nuk ka zyrtarizuar asnjë lojtarë, përveç dy transfereve të huaja që i ka publikuar FBK-ja me rastin e mbylljes së afatit kalimtar. Madje ende nuk dihet se kush do ti prijë Lipjanit si kryetrajner në stinorin e ri.

AsistiOnline ju sjellë rosterin e vitit të kaluar tek Lipjanit, përderisa rosterin për edicionin e ri, ka qenë e pamundur për ta siguruar.

Lipjani 2018/19: Musab Mala, Gent Shabani, Granit Ejupi, Qëndrim Demi, Arian Memeti, James Johnson, Mike Mitchell, Fazli Vitia,Baton Dervishi, Bryson Harris, Drini Rexha, Arjanit Krasniqi.

Ndërsa për stinorin e ri, Lipjani deri tani ka paraqitur vetëm dy lojtarë për regjistrim, Stuckey Demarkus dhe Bruce Tamas. Por që shpresojmë se Lipjani do të këndellet dhe të nisë denjësisht garat në Superligë.

AsistiOnline ka provuar të marrë një prononcim nga drejtuesit e skuadrës për gjendjen aktuale klubit, por përkundër tentimeve të shumta, një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

 

Komentet janë të mbyllura.