PROFILI I PRISHTINËS: KAMPIONË QË SYNOJNË MBROJTJEN E TITULLIT
Prishtinë(AsistiOnline) – Kampionët aktualë të Superligës sonë, Sigal Prishtina, janë ekipi i radhës që do të profilizohen në formë analize nga AsistiOnline, para stinorit të ri në Superligën e Kosovës.
Sigal Prishtina është ekipi më i trofeshëm në basketbollin tonë dhe në mbarë basketbollin shqiptarë dhe kjo pak a shumë tregon për një historik të suksesshëm të kryeqytetasve të Kosovës.
Prishtina është ekipi më i trofeshëm në basketbollin e Kosovës me gjithsejt 32 trofe vendorë të fituar, prej tyre 31 pas luftës. Si dhe dy tituj ndërkombëtar, pra të Ligës Ballkanike. Kjo histori e bën Prishtinën kandidate të denjë për suksese në çdo vit, andaj edhe sivjet do të jetë e njëjta gjë.
Në stinorin e kaluar, Prishtina fitoi të dy titujt e Kosovës(Ligën dhe Kupën), përderisa synimet e njëjta i ka edhe sivjet, përkundër faktit se sivjet për nga numri i lojtarëve është më e varfëruar, por gjithsesi mbetet ndër favoritët kryesorë për tituj.
Rosteri i Prishtinës, për dallim nga ai i stinorit të kaluar ka ndryshuar deri diku. Tek forcat vendore, nuk ka pasur ndonjë lëvizje të madhe, por është vazhduar me forcat e vitit të kaluar. Përderisa nga të huajt ka mbetur vetëm Divine Myles, por që edhe ky llogaritet si vendorë pasiqë është natyralizuar nga Përfaqësuesja e Kosovës dhe tash llogaritet si lojtarë vendorë.
Shtabi teknik sivjet do të udhëhiqet nga trajneri vendorë, Bujar Loci. Për dallim nga viti i kaluar që drejtohej nga boshnjaku, Damir Mulaomerovic.
Stinorin e shkuar Prishtina kishte në përbërje këta lojtarë: Dardan Berisha, Mikaile Tmusic, Edmond Azemi, Meriton Ismaili, Fisnik Rugova, Mergim Jakupi, Valon Bunjaku, Rilind Krasniqi, Divine Myles, Bashir Ahmed, Khalid Boukichou, Denis Krestinin, Kyan Anderson, Demario Mayfield, AJ.Davis, Rodney Bullock.
Ndërsa Prishtina sivjet përbëhet nga: Dardan Berisha, Mikaile Tmusic, Edmond Azemi, Meriton Ismaili, Fisnik Rugova, Mergim Jakupi, Arian Memeti, Muhamedali Janjeva, Divine Myles, Fahro Alihodzic, Jonathan Janssen, Jonathan Wade, Shea Feehan.
Përpos arenës vendore, Prishtina do të luajë edhe në garën ndërkombëtare, FIBA Europe Cup, përderisa nga Liga e Kampionëve, Prishtina u eleminua dje nga Legia e Warshavës.
Komentet janë të mbyllura.