Basketboll

ZM Prishtina vazhdon me fitore ndaj Rahovecit

20 ndeshje 20 fitore, ky është bilanci i jashtëzakonshëm sivjet në Superligë i Z Mobile Prishtinës, e cila e ka mposhtur për herë të dytë brenda një jave skuadrën e Rahovecit, por kësaj radhe në kampionat.

Pas fitores javën e kaluar në finale të kupës në “Mizahir Isma”, këtë të shtunë “kaltër e bardhët” mposhtën “vreshtarët” me rezultat 89:70. Në këtë fitore të Z Mobile Prishtinës, katër lojtarë realizuan pikë dyshifrore ndërsa lider i ekipit ishte Divinen Miles të cilit i munguan 2 asistime për double double. Miles e përfundoi ndeshjen me 22 pikë e 8 asistime. Fenomenal në këtë ndeshje ishte edhe Mikaell Tmusici, i cili ndeshjen e përmbylli me 16 pikë, 7 kërcime, asistoi plotë 6 herë dhe vodhi 2 topa. Pas lojës zhgënjyese kundër Vareses, qendra Khalid Bukiqu pati shfaqje të mirë kundër Rahovecit dhe ndeshjen e përmbylli me double – double prej 14 pikëve e 10 kërcimeve. 14 pikë në këtë duel realizoi edhe fundori Valon Bunjaku i cili pati edhe 4 kërcime dhe vodhi 2 topa nga kundërshtarët. Duhet theksuar se trajneri Mullaomeroviq në këtë duel iu dha pushim Edmond Azemit, Dardan Berishës dhe  Denis Krestininit, të cilët po i pushon para duelit të kthimit me Varesen në Itali.

Nga ana tjetër edhe tek Rahoveci 4 lojtarë ndeshjen e përfunduan me pikë dyshifrore ndërsa lider edhe një herë me radh ishte Fred Richardson që përpak nuk realizoi dyshifror të dyfishtë. Ai e mbylli ndeshjen me 20 pikë e 9 kërcime ndërsa koshashënuesi i dytë i ekipit në kte duel ishte Deshon Minnis me 15 pikë, duke asistuar 4 herë, mbledhur 3 kërcime dhe vjedhur 1 top.

Me 12 pikë në këtë përballje luajti Arian Qollaku, i cili ishte kapiten në këtë duel pas mungesës së Rron Grapcit. Ariani shtoi edhe 8 kërcime dhe nga 2 asistime e 2 topa të vjedhur. Qendra gjigante e Rahovecit ,Andrey Uashington, në kte duel kontribuoi me 10 pikë e  7 kërcime .

Sa i përket rrjedhës së ndeshjes, Z Mobile Prishtina e përmbylli çerekun e parë me 10 pikë epërsi, 24:14 ndërkohë që në çerekun e dytë e dyfishoi atë pasi e përmbylli me 26:16 dhe pas 20 minutave lojë rezultati në semafor tregonte +20 për kryeqytetasit (50:30).

Në pjesën e dytë loja ishte më ë niveluar dhe kjo u pasqyrua në rezultat.

10 minutëshi i tretë i takoi sërish Z Mobile Prishtinës për një nuancë, 17:15, kurse në çerekun e fundit Rahoveci bëri shfaqje të mirë, duke e fituar me rezultat 22:25. Megjithatë, në fund me plotë meritë fitorja i takoi skuadrës së Damir Mullaomeroviqit me rezultat 89:70 dhe tash pas 20 xhirove, Z Mobile Prishtina nuk njeh humbje kurse Rahoveci ka bilanc prej 12 fitoreve dhe 8 humbjeve.

Komentet janë të mbyllura.