Basketboll

SONTE FINALJA E PARË E SUPERLIGËS

Prishtinë (AsistiOnline) – Sonte nis seria e finales e cila e përcakton fituesin e titullit të kampionit në Superligën e Basketbollit Kosovar në konkurencën e meshkujve.

Finalistët e serisë janë, Z Mobile Prishtina e Rahoveci. Ekipe të cilat do ta kërkojnë titullin e kampionit me ngulm sivjet.

Në këtë seri, kryeqytetasit e kanë avantazhin e terenit vendas, sepse në stinorin e rregullt kanë përfunduar si liderë të tabelës. Ndërsa para përballjes me Rahovecin cilësohen si favoritë në letër.

Ndërsa ‘’vreshtarët’’ me vetë kualifikimin në finale, kanë shkruajtur histori, për faktin se për herë të parë në histori të klubit kanë arritur këtu. Por nuk do të rrinë duarkryq në finale dhe do të tentojnë për titull, për faktin se nuk kanë çka të humbin.

Duhet cekur se ekipi që arrin tre fitore shpallet kampionë për edicionin 2018/19. Ndërsa ndeshjet luhen në sistemin, vajtje-ardhje(1-1-1 eventualisht + 1-1).

Ndeshja e sontme që nis në orën 19:00, por edhe ndeshjet e tjera, transmetohen direkt në Platformën më atraktive në vendin tonë, Art Motion që me plotë kuptimin e fjalës po bën revolucion me transmetime në basketbollin kosovar.

Komentet janë të mbyllura.