Basketboll

RAHOVECI GJUNJËZON PRISHTINËN NË ‘’MIZAHIR ISMA’’

Prishtinë (AsistiOnline) – Rahoveci e ka fituar takimin e dytë final të ‘’Play Off’’-it në Superligën e basketbollit tonë ndaj Prishtinës.

Ekipi i Rahovecit që sivjet shkruajti historinë e ekipit, ka arritur të shkaktojë senzacion duke e mposhtur ekipin e fuqishëm të Prishtinës që sivjet nuk pati as një humbje në Kosovë, por Rahoveci arriti t’ia shkaktojë sonte humbjen e parë.

Ndeshja qysh në fillim u pa, se do të jetë shumë interesante, por që Prishtina arriti ta mbyllë çerekun e parë në avantazh 15-22. Ndërsa në çerekun e dytë, Rahoveci përmirësoi lojën dhe arriti ta ngushtonte në maksimum ndeshjen, kjo bëri që pjesa e parë të mbyllej minimalisht në favor të prishtinasve 41-43.

E në pjesën e dytë, erdhi përmbysja e madhe e ”vreshtarëve” të cilët me lojë të mirë në sulm dhe mbrojtje arritën ta mbyllnin çerekun e tretë +4 në epërsi 68-64. Dhe krejt në fund, në periudhën vendimtare përkundër presionit të madh dhe mbrojtjes së çeliktë të Prishtinës, Rahoveci arriti fitoren historike me shifrat 87-84.

Më të dalluarit në këtë super-fitore të Rahovecit sonte ishin, Frederick Richardson që realizoi 25 pikë, Deshon Minnis pati 24 sosh, por me performancë të jashtëzakonshme luajti qendra amerikane Andrew Washington që arriti double, double(11pk, 13krc), por u dalluan edhe Arian Qallaku e James Stanback me nga 11 sosh.

Tek Prishtina sonte nuk mjaftuan për fitore, Dardan Berisha me 26 pikë e Ahmet Bashir me 25 sosh.

Pas kësaj fitore të Rahovecit sonte, seria finale barazohet në 1-1 dhe ndeshja e radhës zhvillohet në kryeqytet në mesjavë.

Komentet janë të mbyllura.