Under Header

spot_img

FEJTON NGA AGON FEHMIU (PJESA 2): KONSISTENCA TE BORA U SHPAGUA

Bora model që duhet ndjekur: projekt afatgjatë dhe i besueshëm

spot_img

Sikurse e shkrova në artikulin paraprak, Bora dhe Bashkimi janë dy nga tri skuadrat që sivjet kishin konsistencë dhe stabilitet si rezultat i qëndrimit të një trajneri gjatë tërë vitit

Stabiliteti taktik si rezultat i qëndrimit të një trajneri të njëjtë i cili arriti të imponojnë stilin dhe filozofin e lojës, nga fillimi i edicionit u shpagua edhe te Bora me skuadrat e tyre.

Përveç Adis Beqiragiqit i cili tash e tre stinor është te Trepça dhe ka vazhduar kontratën për edhe një vit, si rezultat i kësaj vazhdimësie, edhe Bashkimi e Bora treguan suksese dhe të tri këto skuadra janë faktikisht në tri pozitat e para të ProCredit Superligës

Pra, sikurse Trepça viteve të fundit edhe Bashkimi sivjet i besoj një trajneri gjatë tërë edicionit, një gjë të tillë e ka bërë edhe skuadra e Borës me trajnerin Kashqellanin i cili erdhi për të zëvendësuar ish trajnerin Ljubomir Minqevin i cili startoi edicionin në krye të Borës , mirëpo pas një starti katastrofal me 4 humbje pa fitore Minqev dhe Bora i ndanë rrugët kurse tashmë selektorin e Bullgarisë e zëvendësoi trajneri i ri Zoran Kashqelan i cili bëri punë të mrekullueshme dhe ndërtoi një filozofi të lojës së Borës e cila tashi ka identitet dhe njihet me lojë të shpejtë, sulmuese dhe bashkëkohore , diçka ngjashëm sikurse loja e Valencias në Euroleague.

Pa asnjë dyshim, Bora është skuadra me ritmin më të shpejtë në Procredit Superligë dhe pas Trepçës skuadra që shënon më së shumti pikë nga kundërsulmet. Gjithashtu, Bora është ekipi i dytë më i rrezikshëm sa i përket tresheve, pas Trepçës dhe skuadra e dytë edhe sa i përket dominimit në kërcime, sidomos kërcimeve në sulm. Patjetër duhet theksuar faktin se Bora është skuadra më e mirë në Superligë sa i përket shënimit të pikëve nga rastet e dyta, pas kërcimeve në sulm.

Gjitha këto, i ka ndërtuar Zoran Kashqelani, trajneri i ri i cili erdhi te Bora dhe e mori drejtimin kur ishte e fundit me 6 humbje pa asnjë fitore, ku atmosfera në skuadër ishte Zero.

Ajo çka bëri trajneri i ri , në moshë , sepse me punën e bërë po tregon se është i shkëlqyeshëm, Kashqelani, dalëngadalë filloi rindërtimin e skuadrës, me shumë durim dhe besim në lojtarë.
Bëri përzgjedhjen e lojtarëve të duhur për sistemin e tij dhe ajo që është më e rëndësishme: i largoi nga skuadra virusat e ekipit të cilët bënin obstruksione dhe e pengonin zhvillimin e skuadrës.
Me kohë, rezultatet e punës së tij u bënë evidente.

Kashqelani sivjet ka qenë trajneri i cili më së shumti iu ka dhënë minuta lojtarëve të rinj vendor. Për Rron Ukajnë as që po dua të diskutoj sepse ai pati minutazh prej rreth 20 min PN por Kashqelani ka inkuadruar vazhdimisht Olsi Kurtajn me mesatare rreth 12 minPN, Genc Zeqiri luajti rreth 10 minPN, Yll Pllana dhe Halim Lebovci patën rreth 5 minPN.

Pra, gjitha këto Kashqelani i bëri, jo vetëm duke menduar për suksesin e skuadrës por njëkohësisht duke punuar me lojtarët e rinj kosovar, duke iu dhënë minutazh dhe duke iu besuar sepse vetëm kështu zhvillohen lojtarët e rinj.

Kashqelani fillimisht arriti ta kualifikoj Borën në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ku u eliminua nga Trepça (fituesja e pesëfisht rresht e Kupës) dhe më pas deklasoi Sigal Prishtinën në çerekfinale të Play Offit për të arritur edhe një sukses dhe gjysmëfinalen historike për klubin e Borës për të cilin është ky vetëm edicioni i dytë në elitën e basketbollit kosovar dhe gjitha këto Kashqelan i bëri duke punuar dhe duke iu besuar edhe lojtarëve të rinj.

Hallal i qoftë dhe një bravo e madhe publike sepse lojtarët krijohen dhe zhvillohen në ndeshje, një lojtarë i ri piqet në sfida dhe përballje dhe jo vetëm në stërvitje duke mbushur numër për të plotësuar planin stërvitor të trajnerit.

Ajo çka trajneri i ri malazez Zoran Kashqelani ka bërë është për çdo lavdatë dhe mirënjohje, andaj publikisht po e them se,
“unë si Agon Fehmiu, një njeri që tërë jetën e tij ia ka dedikua zhvillimit të basketbollit kosovar dhe sidomos gjeneratave të reja, ia heq kapuçin Kashqelanit kurse KB Borën e përgëzoi që e ka zgjatur bashkëpunimin me trajnerin për edhe një vit.”

Kështu, po dëshmohet se tri skuadrat të cilat kanë pasur vazhdimësi, stabilitet dhe ju kanë besuar trajnerëve të tyre edhe në periudhat e krizës, faktikisht janë tri skuadrat e para në tabelë ku dy prej tyre po ndeshen njëra me tjetrën, Bashkimi dhe Bora

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme