Basketboll

PRISHTINA TRIUMFON ME VËSHTIRËSI NDAJ YLLIT

Prishtinë(AsistiOnline) – Sigal Prishtina e ka fituar ndeshjen e mbetur nga xhiro e nëntë ndaj Golden Eagle Yllit në elitën e basketbollit kosovar.

Të dy skuadrat që nga fillimi luftuan për çdo top duke treguar dëshirën për fitore. Sidoqoftë, prishtinasit ishin më të mirë në çerekun e parë, duke e fituar me rezultat 27:21. Bardhekaltrit vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, duke e fituar 27:17, për të shkuar në pushim me rezultat 54:38. Lojë shumë interesante është zhvilluar në periodën e tretë, me Yllin që e ka nisur më mirë, duke treguar se nuk është dorëzuar dhe afron rezultatin në 60:52, por më pas edhe Prishtina rikthehet në lojë, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 75:66. Mysafirët e nisën më mirë dhjetëminutëshin e fundit, duke afruar rezultatin në 77:76, megjithatë, pa mundur të bëjnë më shumë dhe Prishtina fiton në fund me rezultat 92:84.

Te Sigal Prishtina u dalluan Fahro Alihoxhiq me 29 pikë e shtatë kërcime, Divine Myles me 20 pikë e dhjetë kërcime, Edmond Azemi me 18 pikë dhe Fisnik Rugova me 14, kurse te mysafirët u dallua dyshja Jameel McKay me 20 pikë e 14 kërcime dhe Valon Bunjaku me 21 pikë e tetë kërcime.

Sigal Prishtina tani ka 11 fitore dhe tri humbje, kurse Golden Eagle Ylli 10 fitore dhe katër humbje.

Komentet janë të mbyllura.