Basketboll

TREPÇA – FERONIKELI, NDESHJE E RËNDËSISHME PËR MBIJETESË

FITORJA NË DERBIN E FUNDIT TË TABELËS, HAP I MADH DREJT SIGURIMIT TË PLAY OUTIT

Prishtinë (AsistiOnline.com) – Një ndër palestrat më të zjarrta dhe me atmosferën më të bukur në Kosovë, Minatori në Mitrovicë, të shtunën do të jetë arenë e derbit që në masë të madhe përcakton vazhdimin e mbijetesës në Superligë, shkruan AsistiOnline.com

Trepça e pret Feronikelin në përballjen direkte për një vend që shpie në Play Out në fund të pjesës së rregullt të kampionatit.

Në dy ndeshjet e zhvilluara këtë edicion, secila skuadër ka nga një fitore. Feronikeli fitoi në ndeshjen e parë sezonale në Minatori,  me 3 nëntor 2019, me rezultat 95:97.  Atëbotë, kapiteni Arti Hajdari ishte lider i Niklit me 30 pikë, 5 kërcime e 4 asistime kurse 24 pikë i kishte shtuar fundori Tayron Garland, të cilit i kishte munguar vetëm një asistim per double double pasi kishte realizuar  9 sosh.

PërTrepçën, në ndeshjen e parë kishte shkëlqyer plejmejkeri DJ Hanes me double – double prej 34 pikëve e 10 kërcimeve ndërsa kishte shpërndarë edhe 7 asistime, duke i ikur për pak triple-doublei. Po ahstu me double double kishte luajtur edhe luftëtari i vetmuar në qendër të Trepçës (gjatë vjeshtës) Besnik Azemi i cili luajti me 17 pikë e 10 kërcimeve.

Në ndeshjen e dytë me 15 dhjetor në Rahovec, Trepça iu revanshua Feronikelit duke e mposhtur me rezultat bindës 84:61 dhe përsëri  tek mitrovicasit kishte shkëlqyer DJ Hanes me 32 pikë, 8 kërcime, 4 asistime dhe 3 topa të vjedhur. Dyshja e shtatëlartëve Besnik Azemi dhe Malik Irwin kishin realizuar nga një  double – double identik prej 12 pikëve e 11 kërcimeve secili. Nga ana tjetër, tek Feronikeli më i dalluari në atë duel ishte Sami Hajzeri me 14 pikë e  5 kërcime ndërsa Kareem Storey kishte shtuar 13 pikë e 4 asistime.

Prej se ka ardhur në krye të Trepçës trajneri Neven Plantak, mitrovicasit kanë një fizionomi të re të lojës me mbrojtje shumë më të mirë dhe përkundër humbjeve të pësuara, të gjitha ishin me rezultate të ngushta kurse në kuadër të Kupës ishin në prag që të befasojnë Rahovecin i cili mezi i mposhti në fund me rezultat minimal.  Pa dyshim se Trepçën e pret një punë e vështirë me Niklin që mëton mbetjen në elitë ku debutoj sivjet kurse duhet thënë se pas befasisë së madhe që patën bërë industralistat në ndeshjen e fundit vjeshtore duke e mposhtur Bashkimin në Prizren, në xhiron e fundit para pushimit ata pësuan disfatë befasuese nga Lipjani dhe ia vështirësuan maksimalisht punën vetës.

Para ndeshjes, luftëtari i madh mitrovicas, Besnik Azemi ekskluzivisht për AsistiOnline u shpreh optimist.

Qendra e Trepçës, Besnik Azemi:

“Ndeshja ndaj Feronikelit është më e rëndësishmja këtë edicion si për ne si për skuadrën kundërshtare. Ne jemI pergatitur mirë pasi kemi pasur kohë afërsisht 3 javë dhe tash kem ekipën e kompletune dhe jam i bindur që do të arrijmë rezultat pozitiv”, tha Besnik Azemi për AsistinOnline.com.

 

Nga ana tjetër kapiteni i Feronikelit Valdet Shala se janë në kërkim të fitores për të vazhduar luftën për mbijetesë në elitë, ku debutuan sivjet

Kapiteni i Feronikelit, Valdet Shala:

“Ndaj Trepçes presim lojë shumë të vështire pasi, si neve ashtu edhe atyre, na duhet fitorja. Presim atmosferë të zjarrtë në Minatori por ne jemi të përgatitur për këtë dhe presim të kthehemi në shtëpi me rezultat pozitiv”, tha kapiteni i Niklit, Valdet Shala.

 

Sa i përket lojës së Trepçës, duhet theksuar se në 25 duelet e zhvilluara këtë edicion kanë shënuar 77.68 pikë për ndeshje me çka aktualisht janë sulmi më i dobët në Superligë pas Lipjanit me 77.52 PPN. Mitrovicasit kanë efikasitet prej 51% për dy pikë dhe 31.4% për treshe.

Nga ana tjetër, Feronikeli është më efikas me mesatare prej 83 pikëve të shënuara për ndeshje por me efikasitet të ultë nga loja dhe shpenzim të madh të topave sepse për dy pikë realizojnë në prej 48.2 % të tentimeve dhe për tri pikë janë edhe më jo-efikas me 28.8 %.

Pas 25 xhirove, Trepça dhe Feronikeli kanë bilanc të njejtë me nga 5 fitore e 17 humbje përderisa mitrovicasit fal koshavarazhit më të mirë ndodhen në pozitën e shtatë kurse skuadra nga Drenasi e cila në xhiron e fundit pësoi disfatë befasuese nga Lipjani, gjendet një pozitë më poshtë, në vendin e tetë. /AsistiOnline.com.

Komentet janë të mbyllura.