DY VITE PA GAZMEND SINANIN
Sot, më 23 qershor janë bërë dy vjet nga vdekja e basketbollistit të njohur, Gazmend Sinani. Ai kishte humbur jetën në një aksident komunikacioni.
Dhimbja është e madhe për Sinanin, një basketbollist dhe person i shkëlqyer dhe i dashur nga të gjithë. Gazi ishte shembull për të gjithë dhe kujtimi për të nuk do të harrohet asnjëherë.
Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.
Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, derisa kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.
Fanella e tij me numër 15 është pensionuar te Kosova dhe përveç Sinanit nuk do ta bartë askush më.
Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.
Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.
Ai ka mbetur në zemrat e të gjithë basketbolldashësve.
Federata e Basketbollit e Kosovës dhe i gjithë komuniteti i basketbollit do ta kujtojnë përgjithmonë Gazin.
Komentet janë të mbyllura.