E FUNDIT: LIGA UNIKE PRITET TË SHTYHET PËR VITIN E ARDHSHËM
Prishtinë(AsistiOnline) – E formuar me shumë entuziasëm dhe duke besuar se do të fillojë nga sivjet, Liga Unike e basketbollit, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si duket nuk do të jetësohet as sivjet.
Liga Unike e basketbollit, pritet të shtyhet për vitin e ardhshëm pas masave të vendosura nga Qeveria e shtetit shqiptar për moslejimin e aktiviteteve sportive në vend, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19.
Në një artikull të botuar sot nga Koha.net, thuhet se shtyerjen e Ligës Unike të basketbollit e ka konfirmuar për mediumin në fjalë edhe vetë, kreu i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.
“Duke parë që Liga Unike vështirë se mund të startojë këtë vit, atëherë do të propozojë që në kuadër të pavarësisë së Shqipërisë të zhvillohet një turne basketbolli dhe aktiviteti të mbahet në Kosovë. Besoj se është e realizuar dhe këtë ide do t’ia propozoj edhe Federatës së Basketbollit të Kosovës. Pra, të bëjmë një aktivitet që të mos na shkojë huq ky vit pas marrëveshjes dhe paralajmërimeve për Ligën Unike. Besoj se me këtë aktivitet do të kompensohej fillimi i Ligës Unike deri në vitin e ardhshëm pasi në turne do të përfshiheshin të gjitha skuadrat pjesëmarrëse. Pra, këtë vit të mbahet ky turne dhe vitin tjetër të vazhdojmë me Ligën Unike”, thotë Ponari.
Të kujtojmë se në muajin shtator në Tiranë, ishte firmosur marrëveshja mes dy federatave për Ligën Unike që ishte parashikuar të fillojë në fund të muajit tetor apo fillim të këtij muaji, por që si duket kjo nuk do të ndodhë, së paku jo deri në vitin tjetër, për faktin se klubet shqiptare të basketbollit, nuk janë fare të gatshme për këtë garë.
Madje vetë kreu i FSHB-së, Avni Ponari, ka insistuar se ekipet e Shqipërisë nuk janë të përgatitura për të luajtur këtë vit në Ligën Unike shkaku i moslejimit të aktiviteteve sportive me dorë dhe mbylljes së palestrave, gjë që ua pamundëson atyre të stërviten. Madje, ai ka thënë se kjo bllokadë do të ndikojë direkt edhe te Kombëtarja e Shqipërisë në basketboll, e cila në fund të këtij muaji duhet të luajë në kuadër të parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023.
“Në Shqipëri sportet me dorë dhe palestrat janë të mbyllura shkaku i situatës me koronavirus dhe nuk ka një dritë jeshile për lejimin e këtyre aktiviteteve. Situata sa vjen e rëndohet si pasojë e virusit dhe primar është shëndeti i njerëzve në këtë kohë. Në anën tjetër, sporti ka nevojë të zhvillohet, por është e pamundur aktualisht. Kështu që, jemi të papërgatitur. Kështu që, Liga Unike mund të fillojë vitin tjetër pasi deri në fund të këtij viti duhet të merret një vendim përfundimtar dhe shpresoj që situata me virusin të përmirësohet”, u shpreh kreu i FSHB-së.
Edicioni i fundit i basketbollit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë u anulua pas përhapjes së pandemisë COVID-19 që paralizoi botën në fillim të muajit mars dhe po vazhdon edhe tash.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.